Lajme

Pacolli tregon njohjen e tij me Naim Murselin: M’u ofrua si adoleshent – s’e kam menduar se do përfundonte në një akt kaq tmerrues


Behgjet Pacolli dhe Naim Murseli

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka treguar njohjen e tij me Naim Murselin – i cili dyshohet se ka organizuar vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj – dhe momentin kur e kishte bërë atë pjesë të stafit të tij.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli, teksa shprehu ngushëllime për familjen dhe miqtë e Liridonës, tha se Murselin e ka njohur prej vitesh, “duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte përjetuar”.

“Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019”, shkroi Pacolli.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), theksoi se gjatë mandatit të tij si Ministër i Punëve të Jashtme, ka pritur figura politike, përfshirë deputetë e kryetarë komunash nga Suedia, “ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre”.

Lexo edhe këtë: Babai i Liridona Ademaj dyshon se Naim Murseli organizoi vrasjen e saj për t’ia marrë paratë e sigurimit në Suedi

Kështu, pohoi Pacolli, “lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpunëtor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri”.

“Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, unë dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”.

Mirëpo, Pacolli thotë ta ketë prekur “thellë” tragjedia e fundit, derisa shtoi se bashkëndjenë me dhimbjen e familjes së Liridonës dhe fëmijëve.

“Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues”, potencoi.

Pacolli shkroi se ka mbajtur heshtje këto ditë “si shenjë respekti për vuajtjet e familjes së Liridonës”. “Gjithashtu, dua të përsëris se çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta, dhe drejtësia duhet t’u tregojë secilit vendin e merituar”, përfundoi.

“S’ka paqe pa sigurinë e grave”, të martën protestohet në Prishtinë pas vrasjes së Liridona Ademaj

Çfarë ndodhi?

Të mërkurën në mbrëmje u vra Liridona Ademaj në fshatin Sinidoll të Prishtinës.

Rasti fillimisht u cilësua si vrasje gjatë një grabitjeje të armatosur.

Dy ditë më vonë Policia e Kosovës arrestoi dorasin si dhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin, si të dyshuar për vrasjen.

Dorasi i arrestuar, i tregoi Policisë së Kosovës, se u pagua nga bashkëshorti i viktimës për të kryer vrasjen.

Bashkëshorti gjatë intervistimit nga hetuesit, të premten, pranoi se e ka porositur vrasjen e gruas së tij.

Nga deklarimi i bashkëshortit u mësua se ia kishte dhënë dorasit 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë euro të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.

Në anën tjetër një i dyshuar i tretë u vu nën pranga në orët e vona të së premtes.

Ai dyshohet se ka lidhje me vrasjen e gruas në Prishtinë.

Për një dekadë mbi 50 raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore