Shqipëria

Pacienti shqiptar diagnostikohet me “dextrocardia” në Angli


Një i ri shqiptar është diagnostikuar me një gjendje të rrallë kongjenitale në Angli të quajtur “dextrocardia” pas kontrolleve shëndetësore.

Dexstrocardia është një gjendje e rrallë në të cilën kulmi i zemrës ndodhet në anën e djathtë të trupit, në vend të vendosjes më tipike në të majtë.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Report Tv”, duke cituar kardiokirurgun që ka ndjekur rastin Kristo Papa.

Për kardiokirurgun shqiptar, rast i 29-vjeçarit shqiptar është thuajse unik në botë, pasi krahas zemrës dhe organet e tjera të pacientit janë të vendosura në të kundërt.

“Pacienti 29 vjeç erdhi për arsye ekonomike në Angli. Pata fatin ta vizitoj se kishte shqetësime dhe vura re që kishim të bënim me rast të rrallë, kishte zemrën të pozicionuar në anën e djathtë të kraharorit. Ne kemi një pacient që ka zemrën në krahun e djathtë dhe të gjithë organet e barkut i ka në pjesën e majtë. Zemra ka përmasat 44 milimetra”, deklaroi mjeku.

Dextrocardia është një gjendje shumë e rrallë dhe studimet kanë zbuluar se shkalla e incidencës së dekstrokardisë është rreth 1 në 12 mijë shtatzëni.

Sindroma Kartagener ka një normë incidence prej rreth 1 në 30 mijë lindje, dhe situs inversus totalis është parë në rreth 50 për qind të pacientëve me diskinezinë primare ciliare.

Pavarësisht se për momentin 29-vjeçari është në gjendje të mire shëndetësore, për kardiokirurgun pacienti mund te ketë nevojë në të ardhmen për ndërhyrje kirurgjikale, deri edhe në transplant të zemrës.

Kardiokirurgu shtoi do ta ndjekë në vazhdimësi gjendjen e pacientit dhe është propozuar që të trajtohet falas rasti në fjalë.

“Në literaturë është shumë e rrallë dhe në spitalin në Angli, mund ta ndjekim si rast se në të ardhmen, pacienti mund të ketë nevojë për shërbime mjekësore. Shpesh për kardiologun është sfidë ndërsa pacienti mund të ketë nevojë për ndërhyrë kirurgjikale. Mund të jetë i domosdoshëm transplanti i zemrës. Ne propozuam që të ndiqet falas. Jemi të gatshëm që ta ndihmojmë”, theksoi mjeku shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore