Ai është 53 vjeç.
Shkencëtarët e kanë quajtur “pacienti i Düsseldorf-it”.
Është personi i pestë në botë që njihet si “i shëruar” nga virusi HIV nëntë vjet pas transplantimit të qelizave staminale.
Burri u diagnostikua me HIV në vitin 2008 dhe në vitin 2010 iu nënshtrua trajtimeve antiretrovirale që pacientët me HIV pozitiv duhet t’i marrin gjatë gjithë jetës.
Një vit më pas, në vitin 2011, ai u diagnostikua me leucemi akute dhe, duke pasur parasysh kombinimin e dy sëmundjeve, mjekët së bashku me pacientin zgjodhën të merrnin një rrugë të rrezikshme që rezultoi e suksesshme.
Në vitin 2013, pacienti nga Düsseldorf-i iu nënshtrua një transplanti të qelizave staminale të marra nga palca e eshtrave ose gjaku i një dhuruesi për të zëvendësuar qelizat e bardha të sëmura të gjakut.
Dhuruesi u përzgjodh me një mutacion gjenetik të veçantë që e bën atë rezistent ndaj HIV-it.
Ideja ishte që së pari të kurohej leucemia, por në të njëjtën kohë t’i jepej rezistencë gjenetike HIV-it. Te njerëzit me këtë mutacion të veçantë (CCR5 delta32) HIV nuk zë rrënjë dhe për këtë arsye ata mbrohen nga ai infeksion.
Nëntë vjet pas marrjes së transplantit të qelizave staminale dhe katër vjet pas pezullimit të trajtimeve antiretrovirale, studiuesit njoftuan se pacienti nuk tregon shenja të një gjenomi funksional dhe riprodhues të HIV-it në trupin e tij.
Ngarkesa virale është e fikur.
Virusi nuk zbulohet më në gjak, kështu që pacienti u gjykua se ishte në “remision të plotë nga HIV-i”.
Referuar mjekëve në Düsseldorf që po e trajtojnë atë, burri është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ky rast është një nga rastet e pakta të njohura në botë të shërimit nga HIV-i pas transplantimit të qelizave staminale. I pari ishte “pacienti i Berlin-it”, Timothy Ray Brown.
I lindur në vitin 1966, ai kishte qenë në shërim të plotë për 12 vjet dhe së fundmi vdiq nga leucemia.
Kurse një tjetër “pacient londinez” është në remision prej katër vitesh.
Para tyre një burrë 66-vjeçar dhe një grua 59-vjeçare. Të gjithë këta pacientë kryen një transplant të qelizave staminale të “mutuara”.
Megjithatë, këto janë ndërhyrje të shtrenjta dhe me rrezik të lartë, potencialisht vdekjeprurëse dhe jo gjithmonë funksionojnë.
Madje as kundër leucemisë dhe aktualisht përdoren si mjeti i fundit në rastet më ekstreme. Ato nuk mund të përfaqësojnë një kurë për 40 milionë njerëz që jetojnë në botë me virusin AIDS.
Dhe, për këtë çështje, njerëzit e tjerë që kanë kryer një transplant të palcës nuk e kanë hequr qafe infeksionin.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.