Kosova

Pacientët presin deri në 3 vjet në QKUK – mungon sistemi për regjistrimin e pacientëve në listat e pritjes


Foto nga arkivi

Në Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pritjet mund të shkojnë deri në tre vjet.

Sipas raportit të Zyrës së Auditorit Kombëtar pjesa më e madhe e tyre është në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pasuar nga Ortopedia, Oftalmologjia, Kardiologjia, Radiologjia dhe Kardiokirurgjia.

Auditori e hodhi përgjegjësinë tek Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), të cilët kanë thënë se këto institucione s’kanë arritur t’i krijojnë kushtet e nevojshme për trajtimin në kohë të pacientëve.

Të gjitha këto probleme vijnë edhe për shkak të mungesës së transparencës dhe praktikave të vjetruara të cilat vlerësohet se po pengojnë menaxhimin e listës së pritjes.

Raporti i Auditimit të Performancës tregon se në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), s’ka një sistem të centralizuar e as formal për të regjistruar pacientët në lista të pritjes.

Sipas këtij raportit “kjo cenon saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave në listë”.

“Disa institucione shëndetësore (reparte të caktuara në spitale rajonale) nuk lënë gjurmë të listave të pritjes. Mungesa e një sistemi të mirëfilltë të regjistrimit krijon hapësirë për keqpërdorim të burimeve publike, sepse bën të mundur manipulimin e listave të pritjes dhe dhënie jo të drejtë të shërbimeve shëndetësore”.

Për këtë arsye klinikat dhe spitalet rajonale vlerësohet se nuk janë në gjendje që t’i përgjigjen në mënyrë efikase kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor.

“Ky jo efikasitet i prekë kryesisht pacientët elektiv apo ata që vuajnë nga patologji trajtimi i të cilave mund të presë për një kohë. Ndërsa sa i përket pacientëve që paraqiten si raste urgjente dhe pacientëve të hospitalizuar, klinikat dhe spitalet ofrojnë trajtim më të shpejtë”.

Për përmirësimin e kësaj gjendje Zyra e Auditimit ia ka dhënë 3 rekomandime Ministrisë së Shëndetësisë dhe 10 rekomandime bordit drejtues dhe drejtorit të ShSKUK-së.

Lista e pritjes në QKUK

Sa i përket listës së pritjes në raport bëhet e ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, mbi 2 mijë pacientë në listë të pritjes presin mesatarisht afër 3 vjet deri sa të marrin shërbimin.

Në Klinikën e Ortopedisë, afër 1 mijë e 300 pacientë presin më shumë se dy vjet, në Klinikën e Oftalmologjisë mbi 1 mijë pacientë presin 6-7 muaj, ndërsa në Klinikën e Kardiologjisë rreth 3 mijë pacientë presin mbi një vit.

Në Klinikën e Radiologjisë, mbi 2 mijë e 500 pacientë presin deri në gjashtë muaj, në Klinikën e Kardiokirurgjisë me afër 50 pacientë në pritje 2-3 muaj, kohëve të fundit është thënë se ka pasur zgjatje të kohës së pritjes deri në 4-6 muaj.

Kurse, në spitalet rajonale pacientët presin kohë më të shkurtër krahasuar me atë të klinikave.

Në raportin e publikuar thuhet se ShSKUK-ja s’kishte siguruar trajnime për mjekët e drejtimit të kardiologjisë invasive – ndonëse në këtë klinikë ka mungesë të pajisjeve janë edhe numër i vogël i kardiologëve që janë trajnuar kohëve të fundit për këto intervenime.

“Në tri nga shtatë spitalet rajonale nuk ofrohet shërbimi i operimit të kataraktit të syrit, që në klinikën e oftalmologjisë është shërbim mjaft i kërkuar dhe përbën po ashtu një nga listat më të gjata të pritjes”, thuhet tutje në raport.

Që nga viti 2019 deri në fund të vitit 2023, në këtë listë të pritjes ishin regjistruar mbi 8 mijë e 100 pacientë si dhe në tremujorin e parë të vitit 2024 ishin regjistruar afër 400 pacientë tjerë.

Spitali i Ferizajt dhe i Gjilanit kanë oftalmologë që japin vetëm shërbime ambulantore, pra nuk kryejnë operacione për shkak se këtyre spitaleve iu mungon ekspertiza.

Ndërsa spitali i Vushtrrisë nuk ka fare oftalmolog.

Prandaj në listën e pritjes për operim të kataraktit, në klinikë të oftalmologjisë, gjejmë pacientë nga të gjitha regjionet e Kosovës.

Përveç kësaj, në Klinikën e oOtalmologjisë nuk trajtohen gjendjet pas enukleacionit/vendosja e protezave sepse mungon, ndër tjera, stafi i trajnuar për këtë gjë.

Njësoj është gjendja edhe me kirurgjinë vaskulare ku patologjia e venave varikoze është mjaft e theksuar dhe kërkesa për operim është jashtëzakonisht e madhe.

Me përjashtim të pak pacientëve që janë operuar në spitalin e Pejës 12 pacientë në vitin 2023 dhe Prizrenit 13 pacientë në vitin 2023, ky operim kryhet vetëm në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore