Lajme

Pacientët marrin terapinë ulur në karrige në Onkologji – MSH-ja arsyetohet se po renovohet klinika


Marrja e terapive në Klinikën e Onkologjisë.

Për trajtim të kancerit qytetarët e Kosovës, kanë vetëm një adresë atë të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Por, që aktualisht terapitë të cilat janë duke ua dhënë pacientëve po ofrohen ulur në karrige, kjo me arsyetimin e “renovimeve që po bëhen në Klinikën e Onkologjisë”.

Albanian Post i është drejtuar ministrisë së Shëndetësisë, për të kërkuar sqarim se përse akoma është duke pasur vonesa në krijimin e kushteve adekuate për pacientë, të njëjtit kanë thënë se renovimet do të përfundohen brenda gjashtë muajve.

“Investimet në Kliniken e Onkologjisë kanë filluar gjatë muajit tetori dhe pritet që brenda gjashtë muajve të përfundojnë këto renovime”.

Tutje, nga MSH-ja janë sqaruar renovimet që do të përfshihen në këtë klinikë.

“Dyfishimi i hapësirave për shërbimet e kemio – terapisë, riorganizimi i dhënies së shërbimeve shëndetësore dhe renovimi i hapësirave pritëse për qytetaret, modernizimi i shërbimeve dhe krijimi i parakushteve për përgatitje të centralizuar të terapisë dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësorë në dy ndërrime, si dhe rritjes së personelit shëndetësorë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për AP.

Klinika e Onkologjisë.

Edhe drejtori i klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, në një përgjigje për Albanian Post është arsyetuar duke thënë se janë në fazën e renovimit.

“Klinika e Onkologjisë është në fazën e renovimit dhe shumë shpejt do të shtohen kapacitetet”, thotë Kurtishi.

Në tetor, QKUK-ja kishte njoftuar se në mbështetje dhe koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, ka filluar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, në të cilën do të ketë rritje të kapaciteteve dhe shtretërve për pacientët.

Po ashtu, ishte bërë e ditur se pacientët që kanë qenë të shtrirë në katin e dytë të Klinikës së Onkologjisë janë zhvendosur në hapësirat afër Sterilizimit Qendror, hapësirë kjo që më parë ka shërbyer për pacientët si ambulanca specialistike të Klinikës së Ortopedisë.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Nga kjo sëmundje në Kosovë regjistrohen çdo vit pothuajse 1 mijë e 500 raste të reja.

Në këtë klinikë brenda 24 orësh, shërbime marrin rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Klinika e Onkologjisë i ka rreth 60 shtretër dhe vazhdimisht ballafaqohet me mungesë të barnave.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore