Lajme

Pacientët detyrohen t’i blejnë vetë infuzionet – Ministria arsyetohet “janë rritur çmimet”


Ilusetrim

Një tjetër problem është shfaqur në sektorin e shëndetësisë në Kosovë. Kësaj radhe Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë janë duke u ballafaquar me mungesë të infuzioneve.

Për këtë arsyeje pacientët po detyrohen që t’i blejnë vetë infuzionet.

Një gjë të tillë për Albanian Post e konfirmon edhe Ilmi Jonuzi, i cili punën në njërën farmaci në qytetin e Skenderajt.

“Po është e vërtetë që pacientët po detyrohen të blejnë vetë infuzionet, pasi kemi pasur një numër të madh prej tyre që kanë ardhur për t’i blerë”, deklaroi Jonuzi për AP.

Albanian Post, ka dërguar pyetje edhe në ministrinë e Shëndetësisë lidhur me këtë çështje. Të njëjtit kanë sqaruar se kjo ka ndodhur për shkak të rritjes së çmimeve.

“Ka mungese te NaCl në disa qendra dhe kjo është shfaqur pasi sipas njoftimit nga Divizioni i  Prokurimit të MSH, në procesin e kontraktimit, ofertat për këtë produkt kanë tejkaluar në masë domethënëse vlerën e parashikuar (çmimi i ofruar është më i lartë se sa ai i kontratës së fundit).

Nga MSH-ja është treguar edhe përqindja e furnizimit me barna në tregun farmaceutik.

“Përqindja e furnizimit me barna e KPSH është rreth 70%. Përqindja e furnizimit me material shpenzues rreth 95%”.

Gjithashtu ky dikaster bën të ditur se janë duke punuar për ta gjetur një zgjidhje.

“MSH është në procedura për ta zgjidhur këtë çështje, e krijuar si pasojë e ofertave të papërgjegjshme dhe shumë të larta krahasuar me kontratën paraprake”.

Ministria e Shëndetësisë.

Mungesa e infrastrukturës ligjore ka bërë që të mos ketë unifikim të çmimeve të barnave.

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës kishte pohuar për Albanian Post se kjo ndodh për shkak të mungesës së një ligji për rregullimin unik të çmimit të barnave.

“Edhe pse barnatoret do të duhej të ishin më shumë institucione shëndetësore e më pak biznesore, në vendin tonë po ndodh e kundërta! Kjo, si rezultat i mungesës së një ligji për rregullimin unik të çmimit të barnave në vend, i cili do të ishte i krahasueshëm me vendet e tjera”.

Nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, nënkryetarja Dadane Mehaj ishte shprehur se, në mungesë të një norme ligjore në Kosovë, barnat blihen me çmimin më të shtrenjtë në të gjithë rajonin.

Ajo e përkrah idenë që kjo çështje të rregullohet me ligj. Sipas saj, udhëzimet administrative nuk kanë treguar efikasitet.

“Pse është e rëndësishme të rregullohet me ligj? Sepse udhëzimet administrative nga përvojat e mëhershme kanë treguar se qeveritë, që janë ndërruar, e kanë hedhur poshtë atë udhëzim. Siç na ka ndodhur edhe neve, që për dy vite kjo është një temë që sillet në tavolinë”, thotë Mehaj.

Por, sipas saj, kjo nuk mund të realizohet aq lehtë përmes ligjit.

“Kurse tani, nëse bëhet me ligj, ligji nuk mund të ndërrohet aq lehtë dhe është shumë i mirë pritur. Vjen në shprehje profesionalizmi i farmacistëve në barnatore, sepse aktualisht popullata jonë vuan për këtë çështje sepse blen barna jo të sigurta”, thotë Mehaj.

Ndryshe, Kosova vazhdon të ketë treg të çrregulluar farmaceutik. I njëjti medikament blihet me çmime të ndryshme, në barnatore të ndryshme, duke detyruar shpeshherë qytetarët që të veprojnë pas çmimit, por edhe i rrezikuar ata të blejnë barna të pasigurta.

Kaos me tregun farmaceutik në Kosovë, kërkohet miratimi i ligjit për çmimin e barnave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore