Lajme

Pa zbatimin e vendimit të Kushtetuese për Manastirin e Deçanit s’ka anëtarësim në KiE, thotë Rohde


Ilustrim: Manastiri i Deçanit

Kosova nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës pa e zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Kështu të paktën ka konkluduar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, duke theksuar se vendimet e Kushtetueses zbatohen në çdo vend, posaçërisht kur në pyetje janë pakicat ose të drejtat fetare.

“Nganjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por unë nuk e shoh kandidimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Shpejt do të ketë një diskutim rreth tij dhe rekomandime do të bëhen se çfarë duhet të bëhet para votimit të pranimit dhe kjo çështje do të jetë në mesin e atyre rekomandimeve”, ka thënë Rohde.

Konstatimi se Kosova nuk mund të jetë anëtare e KiE-së pa zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit ishte dhënë edhe në raportin e dy juristëve eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert të cilët në shtator të vitit të kaluar kishin vizituar Kosovën në një mision faktmbledhës  në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përveç Manastirit të Deçanit, avokatët eminentë të angazhuar nga Këshilli i Evropës kishin potencuar në raportin e tyre se Qeveria e Kosovës duhet ta braktisë kundërshtimin e saj ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke vënë në jetë një mekanizëm të tillë nëse dëshiron anëtarësimin në këtë organizatë ndërkombëtare.

Këshilli i Evropës: Asociacionin, manastiret dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit – nëse doni anëtarësim këto janë kushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore