“Pa u sanksionuar Serbia, s’do të ketë dialog”: Kurti harron kushtin e vendosur vetë pas Banjskës

SHFLETO

Albin Kurti

 

Armat Matoshi
26.06.2024 10:00
Loading Icons...

Liderët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen sot në Bruksel të Belgjikës për herë të parë që nga sulmi terrorist i paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa zyrtarët evropianë presin që palët të tregojnë vizion dhe guxim në takimin e së mërkurës në kuadër të procesit të dialogut.

Pas më shumë se nëntë muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen në kryeqendren evropiane për t’i vazhuar negociatat nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Në një intervistë për gjigandin britanik Financial Times në tetor 2023, rreth një muaj pas inkursionit serb në veri të vendit, kryeministri Kurti deklaroi se nuk do të ketë lëvizje në dialogun për normalizimin e raporteve derisa bashkësia e organizuar ndërkombëtare të dënojë Serbinë: “Nëse s’do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë, definitivisht që s’do të ketë dialog”.

“Gjithçka ka ndryshuar. Nuk mund t’i kthehemi punës si zakonisht… Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë”, u shpreh kreu i ekzekutiv kosovar. Por, pavarësisht insistimit të kryeministrit të Kosovës, ndërkombëtaret nuk e dënuan Serbinë. Kosova, ndërkaq, vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të BE-së për shkak të zhvillimeve në veri.

Dy liderët e Kosovës dhe Serbisë, që kurrsesi t’i nxjerrin vendet e tyre nga situata parakonfliktuale, u takuan për herë të fundit më 14 shtator 2023, por nuk arritën kompromis për mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve, ndërsa takimi i parë këtë vit zhvillohet në prag të përfundimit të mandatit të zyrtarëve evropianë që kujdesen për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd.