Lajme

“Pa shanse për të mbijetuar” – foshnja thyen rekordin Guinnes


Richard Scott William Hutchinson (Marrë nga CNN)

Një fëmijë i lindur parakohe, me peshë më pak se një kile, u bë foshnja e parë që u fut në Librin e Rekordeve Botërore të Guinness, pasi festoi ditëlindjen e parë.

“Nuk më besohet”, tha nëna e tij Beth, duke folur për Richard, që theu rekordin Guinness. “Ne jemi ende të befasuar për këtë. Por, jemi të lumtur. Kjo është një mënyrë që ne mund të ndajmë historinë e tij për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me lindjet e parakohshme.”

Kur Richard Scott William Hutchinson lindi pesë muaj para kohe, mjekët i përgatitën prindërit e tij për më të keqen. Richard lindi në spitalin e Fëmijëve në Minneapolis, Minnesota, pasi nëna e tij, Beth Hutchinson, pësoi ndërlikime mjekësore që e bënë atë të lindë parakohe.

Lindur 131 ditë para datës së pritshme dhe me peshë vetëm 11.9 ons, Richard ishte aq i vogël saqë prindërit e tij mund ta mbanin atë në pëllëmbë të dorës.

“Kur babai i tij Rick dhe Beth morën këshillim para lindjes se çfarë të prisnin me një foshnjë të lindur kaq herët, atyre iu dha një shans 0% për të mbijetuar nga ekipi ynë i neonatologjisë,” sqaron neatologu Dr. Stacy Kern, për ekipin e Rekordeve Botërore Guinness.

“E dija që javët e para të jetës së Richard do të ishin shumë të vështira, por ndjeva që nëse do t’ia dilte mbanë, ai do të ishte një i mbijetuar”.

Për shkak të pandemisë së coronavirus-it, prindërit e Richard nuk ishin në gjendje të qëndronin gjatë natës me të në spital dhe as anëtarët e tjerë të familjes nuk mund ta vizitonin.

Kështu që prindërit udhëtonin çdo ditë nga shtëpia e tyre në St. Croix County, Wisconsin për në Minneapolis.

“Ne u siguruam që ishim atje për t’i dhënë mbështetje”, tha Rick për Guinness. “Unë mendoj se kjo e ndihmoi atë ta kalonte këtë”.

Në dhjetor 2020, pasi kaloi më shumë se gjashtë muaj në spital, Richard ishte në gjendje të shkonte në shtëpi me familjen e tij.

“Dita kur Richard u largua nga spitali ishte një ditë kaq e veçantë. Më kujtohet kur e nxora nga djepi i tij dhe thjesht e mbajta me lot në sy”, tha Kern.

“Nuk mund ta besoja se ky ishte i njëjti djalë i vogël që dikur ishte aq i sëmurë, sa që kisha frikë se mos mbijetonte. I njëjti djalë i vogël që ishte sa pëllëmba e dorës, me lëkurë aq të tejdukshme sa mund të shihja çdo brinjë dhe enë në trupin e tij të vogël. Nuk mund të mos e shtrydhja dhe t’i tregoja sa krenar isha për të “.

Më 5 qershor, foshnja festoi ditëlindjen e tij të parë, rrethuar nga familja dhe tre qentë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore