Lajme

Pa policë dhe pa siguri në Qendrat për Punë Sociale të Kosovës – s’investohet nga Qeveria e as nga komunat


Foto: Albanian Post.

Të premten e 12 prillit sërish ndodhi një tragjedi që shkakton shumë dhimbje, e përsëritur për disa herë më radhë në Kosovë, ku një grua dyshohet se u vra nga ish bashkëshorti i saj.

Vrasja e fundit u bë në një institucion publik – në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Nga institucionet tashmë kanë nisur hetimet për të zbardhur këtë situatë, por kjo ngjarje dërgoi në shumë pyetje për sigurinë që kanë Qendrat Sociale në Kosovë dhe sfidat që pastaj dërgojnë në raste me fatalitet.

Në këto qendra aktualisht ka mungesë të investimeve si nga Qeveria ashtu edhe nga komunat.

Mbikëqyrjen e këtyre institucioneve e kishte marrë Ministria e Drejtësisë në janar të 2023-së, të cilat deri në atë vit kishin qenë nën ombrellën e komunave dhe të Ministrisë së Financave.

Deri në vitin 2009 këto qendra ishin në mbikëqyrje të Ministrisë së Punës – departamentit të Politikave Sociale, duke kaluar pastaj në atë të Financave, por e nevojshme po konsiderohet të jetë krijimi i një dikasteri që merret posaçërisht me këto qendra.

“Siguria aspak në nivel”

Ish drejtori në Qendrën për Punë dhe Mirëqenie sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, në një bisedë për Albanian Post thotë se siguria s’është aspak në nivel në këto institucione e që sfidat e tjera përveç kësaj janë të shumta.

“Problemet fillojnë me mungesën e stafit dhe mungesën e sigurimit fizik. Në qendra duhet të jetë e vendosur Policia e Kosovës, e shumica e Qendrave për Punë Sociale nuk kanë as punëtorë fizik të kompanive të sigurimit të cilët nuk kanë ndonjë rol ose ndonjë kompetencë për të ndaluar këto raste. Pra, ka mungesë jashtëzakonisht të madhe të sigurisë”, ka thënë Mujku për AP.

Mujku pohon se, “në të njëjtën hyrje, në të njëjtën korridor, qëndrojnë të njëjtat palë edhe ata që kanë probleme aktualisht edhe ata që kanë pasur probleme në të kaluarën”.

Qendra për Punë Sociale në Ferizaj.

Sipas tij, raste të tilla ndodhin për shkak se Qendrat për Punë Sociale vazhdojnë të neglizhohen nga të gjitha institucionet.

“S’ka përkushtim as nga Qeveria, as nga ministritë dhe as nga komunat në ruajtjen, ngritjen e kapaciteteve, në forcimin e stafit të profesionistëve për të cilat duhet të kujdeset shteti, por e ka lënë tërësisht mbrapa dhe nëse vazhdohet në këtë mënyrë rastet e shumta që kanë konflikte do të përcjellën me pasoja çdo ditë”.

Prandaj, shton se institucionet duhet të ndërmarrin ndonjë veprim pas këtij rasti.

“Institucionet duhet t’i drejtohen shërbimeve sociale me një strategji dhe me një ministri përkatëse e cila do të merret me të gjithë sistemin e mbrojtjes sociale dhe jo ajo çka është duke ndodhur në Kosovë”.

“Përveç policisë së shtetit, duhet të jetë edhe sigurimi”

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, thotë se do të ishte e mirë që Policia e Kosovës, të ishte vazhdimisht në këto qendra ngjashëm sikurse sigurimi, duke e ditur për problemet e ndjeshme që trajtojnë këto institucione.

Por, që thekson se rastet e tilla mund të ndodhin në të gjithë botën – kur ato planifikohen.

“Në secilin objekt ku njerëzit kanë punë me palë është mirë të jetë policia e shtetit, mund të jetë edhe sigurimi. Në raste të tilla kjo mund të ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera sepse diçka kur është e organizuar, shumë lehtë ndodh”, thotë Islami në një përgjigje për Albanian Post.

Njëra nga protestat ku kërkohet siguri për gratë. Foto nga arkivi.

Nga këndvështrimi i tij s’mund të jetë e mundur që në secilin objekt që në këtë rast është institucion publik të ketë siguri të plotë.

“Nuk mund të ankohemi se s’ka siguri, sepse është e pamundur që në secilin objekt të vendoset siguria – edhe pse do të duhej dhe jo vetëm në objektet e sigurimit social. Por, është e pamundur që të vendosen në objekte persona me aparatet që të identifikohen armët, sepse në fund objektet e tilla kanë punë çdo ditë”.

Duke shtuar se, “është vështirë të tregohet se çfarë duhet të bëhet në raste të tilla”.

Deklaratat e krerëve të shtetit për rastin

Krerët e shtetit për rastin, kanë kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të shqiptoj dënime të merituara, duke kërkuar që ato të ashpërsohen – në mënyrë që rastet e tilla të jenë më të pakta.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që dënimet qesharake të ndërpriten.

“Mjaft më me dënime qesharake. Mjaft më me sistem të çalë të drejtësisë. Mjaft më me dështim të shtyllave që do të duhej të mbronin gratë tona, qytetarët tanë. Ngushëllime të sinqerta familjes! Dënim maksimal për vrasësin!”, ka shkruar Osmani.

Si Osmani, edhe Kurti ka kërkuar që ky veprim të dënohet ashpër.

“Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”.

Ndërsa, nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u tha se pavarësisht përpjekjeve për të ndaluar rastet e tilla, të njëjtat po vazhdojnë të përsëriten.

“Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta”.

“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve”, ka shkruar Haxhiu.

Kurse, theksoi se janë duke punuar për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin veprimet sipas kompetencës.

Qendrat Sociale në Kosovë

Në Kosovë, janë gjithsej 40 Qendra për Punë Sociale – institucione të vetme publike këto që në nivel komunal përfshijnë shërbime sociale për 47 kategori personash.

Në këto kategori përfshihen viktima të rritura apo të mitura të krimeve seksuale, dhunës në familje, trafikimit, fëmijët pa përkujdesje, fëmijët lypsarë, fëmijët që kryejnë punë të rënda, njerëzit me probleme të shëndetit mendor.

Në këto qendra është kërkuar me vjet që të bëhen investime, por që në të njëjtat s’është investuar.

Një problem tjetër me të cilin ballafaqohen QPS-të, është mungesa e punëtorëve në përgjithësi e mungesa e punëtorëve socialë e profesionistë në veçanti.

Për një dekadë mbi 50 raste të vrasjeve të grave nga bashkëshortët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore