Kosova

“Pa gazetarë demokracia vdes”, intervistë me gazetarin Diamant Salihu, i nominuari për çmimin “Wallenberg 2023”


Gazetaria nga Suedia me origjinë kosovare, Diamant Salihu.

Diamant Salihu gazetarinë e filloi kur ishte vetëm 15 vjeç.

Pas 25 vjetëve përvojë si gazetar në Suedi, Salihu është nominuar për çmimin prestigjioz “Wallenberg 2023”, një nga çmimet më të rëndësishme për kontribut dhe impakt në komunitet.

Në një intervistë për Albanian Post, gazetari i mirënjohur suedezo-shqiptar tregon për fillimet e tij në gazetari, përvojën dhe sfidat.

Salihu njihet edhe për dy libra të shkruara, “Tills alla dör” dhe “När ingen lyssnar”.

Libra këto të cilat flasin për vrasjet, korrupsionin dhe konfliktet mes bandave të ndryshme.

Pikërisht në vitin 2021, kur edhe botoi librin e parë, Salihu u nderua me çmimin e “Gazetarit të Madh” në kategorinë “Zëri i Vitit”, për punën e tij që mbulonte dhunën e bandave.

Kurse në vitin 2023, ai doli me librin e tij të radhës “När ingen lyssnar”, ku thellohet në tablonë e rrjeteve kriminale dhe luftës së policisë kundër tyre.

Ai në librin e fundit thotë se përmendet edhe një person që vepronte në Suedi dhe më pas dyshohet se kishte ikur në Kosovë.

Për karrierën e tij profesionale nominimin në “Wolfang 2023” e konsideron si hapë mjaft të madh dhe madje ndjehet shumë krenar që ka arritur të jetë në listën e tre të nominuarve.

Intervista e plotë me Diamant Salihun

Albanian Post: Fillimisht nëse mund të na tregoni pak për ju, për rrugëtimin tuaj në gazetari, kur dhe si e filluat?

Diamant Salihu: Jam lindur në Gjakovë në 1983 dhe kam ardhur në Suedi në vitin 1991. Klasën e parë e kam përfunduar në një fshat që quhet Batush afër Kosharës. Me gazetarinë në Suedi kam filluar shumë herët, kur kam nisur gjimnazin në të njëjtën periudhë kohore fillova që të punoj edhe në gazetë lokale.

Pastaj kam filluar punën në gazeta nacionale, në gazetën më të madhe që quhet “Expressen”, aty kam punuar si korrespodent në Angli, më pas edhe në Londër i kam përcjellur zgjedhjet në Rusi. Në vitin 2012 kam qenë në Ukrainë, për ta përcjellur luftën kur kishte filluar në vitin 2014 deri në 2017, kam qenë disa herë për të përcjellur konfliktin që kishte filluar në atë kohë.

Në 2017, kam nisur punën në Radio Televizionin e Suedisë “SVT”, aty vazhdoj të punoj, por në këtë kohën sa kam filluar punën në Radio Televizionin e Suedisë, kam shkruar edhe dy libra dhe për një libër kam marrë shumë çmime të gazetarisë.

Albanian Post: Çka të sfidon në gazetari, si do ta përshkruaje profesionin dhe vetën brenda tij?

Diamant Salihu: Realisht, gazetaria është profesion mjaft i vështirë, prandaj kërkon dedikim të vazhdueshëm edhe kërkon që të mos kemi frikë.

Duhet të jesh i gatshëm në luftë të raportosh, s’duhesh të jesh i lidhur me askënd si gazetar, duhet të jesh i pavarur, këto janë vështirësitë të cilat i kam hasur në fillimet e mija si gazetar.

Publikimet e mija kanë qenë për ekstremistët e Suedisë, prandaj edhe pse janë shumë të rëndësishme për të kryer punën si gazetar janë edhe mjaft të rrezikshme.

Diamant Salihu.

Albanian Post: Cilat janë fushat të cilat i keni me interesim më të madh në gazetari?

Diamant Salihu: Fushat më kryesore dhe për atë që kam shkruar dy librat janë për problemet që i kemi në Suedi lidhur me vrasjet.

Edhe pse është një shtet me të drejta të madha, kemi edhe çrregullime mjaft të madhe. Në 10 vjetet e fundit kanë filluar të ndodhin shumë vrasje në komunitetet ku jetojnë shumë emigrantë.

Albanian Post: Sa është i rëndësishëm çmimi “Wallenberg 2023” dhe si erdhi tek rezultati që të jeni i nominuar për këtë çmim?

Diamant Salihu: Jam shumë krenar për këtë nominim. Vetë emri “Wallenberg” do të thotë shumë.

Raoul Wallenberg, ishte arkitekt, diplomat dhe humanist suedez i cili shpëtoi mijëra hebrenj në Hungari, gjatë Holokaustit dhe fazave të mëvonshme të Luftës së Dytë Botërore.

Do të thotë në emër të tij është bërë ky çmim për persona të cilët kontribuojnë për të mirën e njerëzve, për të drejtat e tyre, kundër racizmit.

Diamant Salihu: Cilat janë temat e librave tuaj? 

Albanian Post: Librat kryesisht kanë të bëjnë për korrupsion lidhur me krimet e organizuar, ka lidhje edhe me Kosovën ata të cilët janë marrë me drogë, do të thotë jo vetëm për Suedinë ka lidhje me Kosovën, Turqinë.

Në librin e ri “När ingen lyssnar”, është një person që përmendet që ka ikur në Kosovë dhe akoma është në arrati për shkak se ka kryer veprimtari me shumë drogë dhe kokainë, por ai është vetëm një person prej shumë personave që është në kërkim nga Suedia.

Kurse në librin “Tills alla dör”, flitet rreth konflikteve mes bandave të ndryshme në Jarvafaltet.

Albanian Post: Para këtij çmimi keni fituar ndonjë çmim tjetër në gazetari dhe nëse mund të na bëni të ditur se për çfarë?

Diamant Salihu: Në vitin 2021, u nderova me çmimin e gazetarit Stora në kategorinë ‘Zëri i Vitit’. Më 1 shkurt 2022, fitova çmimin e Bernës nga PEN suedeze për librin Tills alla dör. Kurse në vitin 2022 mora çmimin “Guldspaden 2021”, në kategorinë Libër nga Shoqata e Gazetarëve Gërmues për librin Tills alla dör.

Gazetaria është pjesa më e rëndësishme në demokraci dhe të drejtat e gazetarëve duhet të mbrohen dhe e di se në Kosovë kam kolegë që kanë pasur shumë problem që të kryejnë punën si gazetar.

Mesazhi im është që të gjithë ta mbrojnë dhe ta respektojnë gazetarin, sepse pa gazetar vdes demokracia. Edhe ne si gazetar duhet të jemi të pavarur që është është shumë e rëndësishme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore