Kosova

Kosovë: Miratohet, në parim, Projektligji i Buxhetit për vitin 2022


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2022.

Me 65 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit kanë votuar projektligjin 08 L-66.

Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është 2.7 miliardë euro.

Ndërsa kryetari i komisionit për financa, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të përshpejtohen procedurat e shqyrtimit nëpër komisione të projektligjit dhe të bëhet miratimi i ligjit para vitit të ri.

Deputetët e opozitës gjatë seancës kanë akuzuar qeverinë se ka bërë ndarje politike në buxhet. Sipas tyre qeveria “dënoi komunat” në të cilat ka udhëhequr opozita gjatë zgjedhjeve, gjithashtu ata kanë akuzuar ashpër kryeministrin Kurti se po vazhdon të bëjë pikërisht atë që dikur e kritikonte vet.

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se PDK nuk e përkrah që të përshpejtohen procedurat jashtë rregullores dhe ligjit.

Gjithashtu edhe Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se edhe LDK nuk e përkrah përshpejtimin e procedurës.

Madje, Gashi ia ka kujtuar edhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që në legjislaturën kur që të dy ishin opozitar, kanë kërkuar të mos ketë përshpejtime dhe afate kohore, sepse është “e palogjikshme dhe e pa nevojshme” se kur do të bëhet leximi i dytë i projektligjit.

Ndërsa Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ka logjikë nëse shpjegohet urgjenca nga ana e Ministrit të Financave, për ndryshe urgjencat nuk kanë kuptim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore