Kosova

Osmani viziton Kroacinë


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të qëndrojë këtë të dielë në Kroaci me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Milanoviç, raporton mediumi kroat Index.hr.

Osmani do të marrë pjesë në një organizim tradicional të lashtë të quajtur “Sinjska Alka” që mbahet në qytetin e Sinjit në Kroaci.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vijë në Sinjska Alka me ftesë të presidentit Millanoviç, i cili sikurse në vitet e kaluara është organizator i Sinjska Alka (Unaza e Sinjit)”, thuhet në njoftim.

Në këtë vizitë në Kroaci, Osmani do të jetë e shoqëruar nga bashkëshorti Prindon Sadriu.

Po ashtu, Presidentja është paraparë që të vizitojë edhe ekspozitën “Vanja Radush” dhe “Stipe Sikirica” nën drejtimin e kuratores së ekspozitës Ana Zhanko dhe drejtoreshës së Galerisë, Dragana Modriç.

Me këtë garë shënohet fitorja kroato-venedikase kundër osmanëve në luftën e vitit 1715, në të cilën popullsia lokale prej rreth 700 kroatësh në bashkëpunim me një numër më të vogël venedikasish arritën të mbronin Sinjin kundër 60 mijë ushtarëve osmanë të udhëhequr nga Mehmed Pasha I.

Udhëtimi i Osmanit drejt Kroacisë vjen pas një incidenti në aeroportin e Shkupit, kur kësaj të fundit policia ka tentuar t’ia marrë telefonin.

Kjo ngjarje është cilësuar si një skandal diplomatik, derisa ka pasur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore