Lajme

Osmani viziton familjen e Rugovës: Pavarësia ishte ideali i tij jetësor


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Presidentit ka vizituar familjen e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se në këtë ditë, por jo vetëm çdo herë kujtohet presidenti Rugova.

“Në familjen e Presidentit Rugova, dera është gjithnjë e hapur për miq. Në Ditën e Presidentit, çdo vit pritja shoqërohet edhe me tortën e Presidentit, gatuar enkas për këtë ditë nga duart e arta të znj. Fanë, për ta kujtuar atin themeltar të Republikës”.

E para e shtetit. gjatë ditës ka nderuar Rugovën edhe tek busti në sheshin e kryeqytetit.

“Pavarësia ishte ideali i tij jetësor, të cilin e përjeton ky brez dhe të tjerë pas tij”, ka thënë Osmani.

Në Ditën e presidentit, Osmani në një intervistë për RTV Dukagjinin, tha se pret vizita të fëmijëve nga rajone e shkolla të ndryshme brenda Kosovës.

“Është interesante, se kur i pyesja fëmijët çfarë doni të bëheni kur të rriteni, thonin polic, police, mësuese. E tash kur i pyes kush do të bëhet presidente, gati 80 për qind të fëmijëve e ngritin dorën, por edhe djemtë”, theksoi ajo.

Të qenurit ndonjëherë në pozitën e presidentes ajo thotë se nuk e kishte menduar.

“Kur kam qenë e vogël kam mëndu që nuk ka profesion dhe pozicion që nuk mund ta arrijë, por atëherë ka qenë një situatë ndryshe, veç të shkosh në shkollë ka qenë sfidë ne vete”.

“Sepse jemi rritë në një sistem ku vetëm të mësosh në gjuhën tënde, ka nënkuptuar që po e rrezikon jetën, prandaj të shkosh në shkolla ka qenë një ideal i jashtëzakonshëm”.

“Edhe si të vegjël e kemi pas këtë barrë që të bëjmë çmos që të mos ndalemi në përpjekjet tona që të shkollohemi”.

“Më shumë sesa të mendoj se çka do të bëj kur të rritem, mendimet e mija kanë qenë se si të sigurohemi se si popull në betejën tonë të dalim fitimtarë”, tregoi Osmani.

Në Kosovë më 24 maj shënohet çdo vit dita e Presidentit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore