Lajme

Osmani: Vdekja e dy qytetarëve të Pejës ka tronditur Kosovën


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vdekja e dy qytetarëve si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën.

“I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike”, shkroi ajo në Facebook.

Ajo ka treguar se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre.

“Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”.

Ndryshe, një pesë vjeçar dhe nëna e tij kanë vdekur si pasojë e vërshimeve në qytetin e Pejës të shtunën. Ndërkaq sipas policisë dy persona janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim në spital.

Sipas organeve të rendit, trupi i viktimës është gjetur në orët e para të së dielës.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё 24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan Qeshme” njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet policore rreth orёs 01:20, tё datës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në njoftim.

Edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se është i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur në qytetin që e udhëheq si pasojë e vërshimeve.

“Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë”, ka shkruar ai në Facebook.

Vërshimet në Pejë, vdesin nënë e bir

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore