Kosova

Osmani uron Turqinë për 100-vjetorin e Republikës: Edhe shumë shekuj tjerë dhe miqësi të fortë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kombin turk për 100-vjetorin e krijimit të Republikës së Turqisë.

“Miqësia e rrënjosur thellë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Turqisë tregojnë për një të ardhme të ndritur. Edhe shumë shekuj tjerë dhe miqësi të fortë”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Ndërsa dy ditë më parë në Prishtinë, Ambasada e Turqisë kishte organizuar pritje zyrtare me rastin e shënimit të 100 vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rrugëtimi 100 vjeçar i Turqisë është vizion i Ataturkut nën lidershipin e të cilit u vunë themelet e demokracisë turke.

“Në kohën kur siguria e vendit tonë është rrezikuar nga kërcënimet e Serbisë, bashkëpunimi ynë me Turqinë në fushën e mbrojtjes u bë edhe më i rëndësishëm. Në veçanti, ne i jemi mirënjohës Turqisë për furnizimin e ushtrisë kosovare me dronët Bayraktar”, theksoi Kurti.

Më 29 tetor 1923, themeluesi i vendit Mustafa Kemal Ataturk zyrtarisht shpalli emrin e kombit dhe shpalli statusin e vendit si republikë.

Më pas u zhvillua një votim në Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Ataturku, u zgjodh presidenti i parë i Republikës së Turqisë me votim unanim.

Që atëherë, Turqia feston Ditën e Republikës më 29 tetor çdo vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore