Kosova

Osmani uron 28 nëntorin: Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar shqiptarët për shënimin e 111-vjetorit të mëvetësisë, duke thënë se Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, derisa ka shtuar se Dita e Pavarësisë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK), kanë një emërues të përbashkët: flamuri kuq e zi dhe 28 nëntori.

“Republikës së Shqipërisë ia përcjell urimet më të ngrohta të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës në këtë 111 vjetor. Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve!”, ka shkruar presidentja Osmani në llogarinë e saj në “Facebook” të martën për nder të Festave të Nëntorit.

“Flamuri ynë kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë. Kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, por edhe krerët e partive politike ua urojnë qytetarëve në të dy anët e kufirit Festën e 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit. Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), kjo festë në Kosovë është përcaktuar vetëm si festë memoriale, por nuk është përfshirë në kalendarin e festave zyrtare të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore