Kosova

Osmani u kthehet temave parazgjedhore pas “maratonës olimpike”: Liderët konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e së mërkurës


Vjosa Osmani

Partitë e mëdha politike në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme nacionale.

LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja do të përfaqësohen nga udhëheqësit e partisë, ndërsa LVV-në do ta përfaqësojë nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca në takimin e së mërkurës në ambientet e presidencës.

“LVV do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja Osmani. Besoj që do të shkojë nënkryetari i parë i LVV-së, Glauk Konjufca”, ka thënë Arlind Manxhuka, zëdhënës i kësaj partie për Gazetën Express të martën.

Ndërkaq më 13 maj, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ishte i vetmi prej liderëve të partive opozitare që pranoi ftesën e kryeministrit Albin Kurti për të darkuar.

Në këtë takim pati një lloj “dakordance”, për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme , por siç u tha pas takimit, për datën dhe kohën duhet koordinim edhe me partitë e tjera

Por, ndryshe nga Krasniqi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj e refuzuan ftesën e kryeministrit për të darkuar së bashku duke i thënë se “është vonë”.

Abdixhiku dhe Haradinaj njëzëri theksuan se e mbështesin idenë për shpërbërjen e Kuvendit, por vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit Kurti.

Megjithatë, përkundër që partitë politike shprehën gatishmëri për zgjedhje të parakohshme gjatë verës, nuk pati pasur konsensus në mesin e subjekteve opozitare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa tani partitë politike veçse kanë filluar të mobilizohen për shkak se mandati i ekzekutivit aktual nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) përfundon në fillim të vitit 2025.

sondazhin e fundit të realizuar nga kompania e sondazheve “Source” në bashkëpunim me Albanian Post, nga të dhëna të mbledhura në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor, nga 1050 respodentë në 28 komuna të Republikës së Kosovës.

Në pyetjet se kë do ta votonit në zgjedhjet e ardhshme, 41.1% e respodentëve kanë zgjedhur Lëvizjen Vetëvendosje/Lisën Guxo.

Dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë qenë shumë afër njëra tjetrës, por larg Vetëvendosjes.

PDK-në si opsion për zgjedhjet e ardhshme e kanë zgjedhur 19.6%, derisa LDK-ja ka marrë 19.2% të votës së përgjithshme në sondazh.

Koalicioni i fundit parazgjedhor, ai në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate ka 5.8%.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt 2021, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore