Kosova

Osmani takon Tajani-n: Mezi presim të punojmë për qëllimet e përbashkëta


Vjosa Osmani dhe Antonio Tajani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në New York, është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, me të cilin ka biseduar për të thelluar bashkëpunimin për qëllime të përbashkëta.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Osmani u shpreh e lumtur për ri-takimin me kryediplomatin italian.

“Ne mezi presim të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku për qëllimet e përbashkëta dhe trajtimin e sfidave të përbashkëta”, shkroi.

Ky takim i Osmanit me kryediplomatin italian, është në kuadër të vizitës së saj në New York, ku është duke u mbajtur Sesioni i 78 i Asamblesë së Kombeve të Bashkuar.

Ndërsa, të hënën, Osmani është takuar me Nënsekretarin e Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Derek Chollt, dhe të Dërguarin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi.

Këto takime të Osmanit me zyrtarët e lartë amerikanë dhe evropianë vinë pak ditë pas takimit të nivelit të lartë në kuadër dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfundoi pa ndonjë rezultat, dhe faji për dështim iu la Kosovës, respektivisht kryeministrit Albin Kurti.

Nga ana tjetër, në një konferencë për media të hënën, Kurti ka akuzuar ndërmjetësin, në këtë rast Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, se është i anshëm, ia mban anën Serbisë dhe mban gjera të fshehura nga shtetet anëtare të BE-së.

Për këto pretendime të kreut të ekzekutivit kosovar ka pasur reagim nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Nga DASh në një përgjigje për Zërin e Amerikës, kanë deklaruar se ata i njohin dhe vlerësojnë përpjekjet e Lajçak-ut në dialog.

Madje DASH edhe e ka falënderuar diplomatin sllovak për “përpjekje të palodhur” në dialog.

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, tha një zëdhënës i DASH për Zërin e Amerikës.

Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

Osmani takon Chollet-in dhe Escobar-in: Roli i ShBA-ve kyç në përfundimin e dialogut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore