Osmani takon kryetarin e Rajonit të Kalabrisë: Komuniteti arbëreshë pjesë e rëndësishme e diversitetit etnik të Italisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj tek arbëreshët në Itali, këtë të mërkure është takuar me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin ka biseduar mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.
Siç njofton zyra e presidentes, Osmani ka theksuar se “lidhjet mes vendit tonë dhe Rajonit të Kalabrisë janë të hershme dhe janë të mbështetura në trashëgiminë historike e kulturore”.
“Komuniteti i arbëreshëve, i cili prej shekujsh jeton në disa rajone të Italisë, përfshirë Kalabrinë, përbën të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor të Italisë dhe pjesë të rëndësishme të saj”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, në njoftim thuhet se e para e vendit ka potencuar se kujdesi ndaj të drejtave të bashkësive etnike kontribuon në mënyrë aktive edhe në zhvillimin ekonomik të Italisë.
“Ajo e falënderoi kryetarin Occhiuto për kujdesin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar të arbëreshëve dhe theksoi se integrimi i plotë dhe kontributi i tyre në jetën socio-ekonomike, u japin marrëdhënieve një dimension tjetër dhe të veçantë”.
Po ashtu, presidentja kosovare i ka shpalosur shembullin e Kosovës për mbrojtjen e pakicave, dhe shtoi se sa më shumë që përkrahet komuniteti arbëresh në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor, aq më shumë do të kontribuojë ky komunitet edhe në zhvillimet e raporteve ndërmjet Italisë dhe hapësirave shqiptare.
“Jemi të bindur se mund të ndiqen politika aktive për respektimin e gjuhëve të pakicave, për të mbrojtur dhe përmirësuar gjuhën dhe trashëgimin kulturore të pakicave gjuhësore dhe historike të Kalabrisë, përfshirë bashkësinë arbëreshe. Përmirësimi i mëtejmë i politikave për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e të traditave është e ndërlidhur me politikat e shkollimit në gjuhën e pakicave”, tha Osmani.
Gjithashtu, ajo ka bërë me dije se në Rajonin e Kalabrisë është kultivuar tradicionalisht “një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë atë letrare, që gjendet në dokumente e revista shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, të cilat duhen ruajtur dhe digjitalizuar, në mënyrë që të shpërndahen më lehtë tek të rinjtë dhe brezat e ardhshëm”.
Presidentja dhe kryetari Occhiuto kanë diskutuar edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Italisë, përfshirë rajonin e Kalabrisë. Presidentja i ftoi ndërmarrjet, bizneset dhe investitorët italianë që të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit.
“Ne duhet t’i afrojmë edhe më tej operatorët tanë ekonomikë e turistikë, në mënyrë që të krijohen itinerare të përbashkëta turistike nga Kalabria për në Kosovë dhe anasjelltas. Hapja e linjave të drejtpërdrejta të fluturimit mes aeroporteve tona e ndihmon turizmin e ndërsjellë dhe thellimit të lidhjeve me Kalabrinë dhe qytetarët e rajonit”, tha ajo.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në bujqësi, duke qenë se siç tha ajo “të dyja vendet kanë potencial të madh zhvillimi në këtë fushë”.
Në këtë takim është diskutuar edhe për përafrimin e mëtejmë të të rinjve me kulturën e njëri-tjetrit dhe “rritjen e komunikimit ndërmjet dy vendeve tona, sidomos të të rinjve tanë”.
“Intensifikimi i bashkëpunimit të të rinjve tanë mund të arrihet më së miri nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve akademike, bursave të studimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar”, nënvizoi Osmani.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Hasani e denoncon në Antikorrupsion kryetarin e Këshillit të Etikës së UP-së
-
Haziri: Osmani e konfirmoi korrupsionin e thellë qeveritar dhe kapitullimin e shtetit
-
BE-ja e demanton Osmanin: Ne ende insistojmë që hapja e urës të diskutohet në dialog
-
Muslija pranon fajin pas përjashtimit nga Kosova: Kam bërë gabim, marr përgjegjësinë