Kosova

Osmani takon kryeministrin bullgar, flasin për aspiratat e Kosovës drejt NATO-s


Vjosa Osmani dhe Dimitar Glavchev

Aspiratat e Kosovës për t’u bërë pjesë e aleancës së NATO-s kanë qenë në fokus të takimit që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar me kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev, në kuadër të Samitit të NATO-s në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka njoftuar të mërkurën Presidenca e Kosovës nëpërmjet një komunikate për shtyp.

“Në takim, presidentja Osmani theksoi se Bullgaria është një mbështetëse e palëkundur e Kosovës në përpjekjet për anëtarësim në organizatata ndërkombëtare. Në këtë kontekst u diskutua edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët tanë bullgarë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për shtyp të presidencës kosovare.

E, nëpërmjet një postimi në platformën “X” më herët, presidentja Osmani theksoi së stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve: “Ne jemi mirënjohës që llogarisim në mbështetjen e vendosur të Bullgarisë për rrugën tonë euroatlantike”, shkroi ajo.

Ndryshe, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, autoritetet në Kosovë kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO. Megjithatë, duke qenë se brenda NATO-s janë katër shtete mosnjohëse – Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania – arritja e “ëndrrës transatlatike” mbetet ende larg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore