
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Mal të Zi, ku ka marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të malazez, Jakov Milatoviç, ka takuar të dërguarin e posaçëm të Shteteve te Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin ka biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel\Ohër, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Siç njofton zyra e presidentes, Osmani ka theksuar se “Kosova përbën palë konstruktive dhe ka potencuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre”.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, bëhet me dije që e para e vendit ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës “për mbështetjen e vazhdueshme dhe garancën e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë”.
Ndërsa, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë ditës ka dhënë një intervistë për televizionin publik të Kosovës, ku ka thënë se “jemi duke e pritur versionin e Kosovës për statutin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, e sipas tij “kjo duhet të bëhet tash”.
Sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel, dhe pastaj e përforcuar me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Escobar deklaroi se asnjëra nga shtetet nuk janë duke ecur para me zbatimin e marrëveshjes.
“Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, pohoi ai.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com