Kosova

Osmani takohet me shefin e EULEX-it – diskutojnë rreth situatës në Veri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark për të diskutuar rreth situatës në Veri.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës përmes një komunikate për media.

“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, z. Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit si dhe bashkëpunimin e institucioneve shtetërore me ato ndërkombëtare”.

Në komunikatë thuhet se Osmani, ka përsëritur angazhimin e institucioneve për siguri.

“Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe për sigurimin e mbarëvajtjes dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar”.

Ndërkaq, theksohet se gjatë takimit presidentja ka vlerësuar koordinimin e vazhdueshëm me EULEX-in.

Masa ‘paraprake’

Në Veri të Kosovës, përkatësisht në pikën kufitare në Jarinjë, është shtuar numri i pjesëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Kjo, pas tërheqjes së “Listës Serbe” nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Policë të EULEX-it nga kontingjenti polak janë duke qëndruar në Jarinje dhe po monitorojnë situatën nga afër.

Gjithashtu, në mes të Jarinjës dhe Mitrovicës së Veriut, edhe ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) janë të stacionuar pranë rrugës kryesore.

Aktualisht, situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

Si rrodhën gjërat?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.

Veriu i Kosovës
Kryeministri kishte pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Çka ndodhi më pas?

Drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, u suspendua nga kjo pozitë me vendim të Inspektoratit të Policisë së Kosovës me pretekstin se i njëjti kishte refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortimin e shtetasve serb të cilët kanë refuzuar t’i konvertojnë targat e tyre ilegale në ato RKS.

Në një konferencë për media menjëherë pas këtij vendimi të Inspektoratit, kryetari i Listës Serbe dhe njëherit Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, kishte caktuar për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe, për të diskutuar mundësinë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës, duke filluar nga ai personalisht.

Përveç kësaj, Rakiç, kishte bërë të ditur se Lista Serbe të dielën do të protestojë në mënyrë paqësore në shenjë indinjate ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovë.

Ai nuk kishte garantuar që protesta demokratike mund të shndërrohet edhe në një revolt popullore.

Albanian Post të premten e 4 nëntorit kishte raportuar që rreth 400 policë serb të Kosovës në Veri, do të largohen nga detyra zyrtare pasi kështu u ka bërë thirrje lideri politik i serbëve të Kosovës, Goran Rakiç.

Nëse ky grup policësh serbe të Kosovës largohen, Albanian Post ka kuptuar brenda burimeve të policisë se ka shumë rrezik që ata nuk do të dorëzojnë armët zyrtare, meqë largimi nuk po ndodhë si bindje ndaj ligjit, por revoltim ndaj tij.

AP kishte mësuar gjithashtu se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë “në gjendje gatishmërie” në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore