Lajme

Osmani: Vuçiç po ia mundëson infrastrukturën Radoiçiç-it, për sulme të reja ndaj Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili kishte alarmuar të dielën se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, derisa ka paralajmëruar edhe për riorganizimin e grupit terrorist të ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radoiçiç-it, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po ia mundëson atij të gjithë “infrastrukturën e mundshme”, për përgatitjen e sulmeve terroriste.

“Në vend se ta ekstradoj Radojçiçin, ai po ia mundëson të gjithë infrastrukturën e mundshme që ai do të planifikoj sulme të reja ndaj Kosovës”.

“Ne i ndajmë informatat që institucionet tona i mbledhin me të gjithë aleatet dhe partnerët dhe sigurisht që do të bashkëpunojmë me të gjithë aleatet dhe partnerët në mënyrë që sulmet e tilla të ndalohen”.

Ajo ka deklaruar se informacionet që ndahen nga krerët e shtetit janë ato që pranohen nga institucionet e sigurisë.

“Këto janë informacione që institucione e sigurisë i ndajnë edhe me mua si presidente edhe me kryeministrin e vendit, për fat të keq Serbia jo vetëm që nuk e ka ekstraduar udhëheqësin e atij sulmi terrorist, nga aspekti praktik, sepse nga aspekti politik udhëheqës i këtij sulmi ka qenë Vuçiç”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani, Stoltenbergut: Nëse Serbia s’përballet me asnjë masë për sulmin terrorist, inkurajohet që sërish të sulmohet Kosova

Osmani, në një konferencë të përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se kanë diskutuar për sulmin e 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, tashmë i shpallur hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Osmani, si kërkesë kryesore nga Stoltenberg, tha se e ka vendosjen e masave ndaj Serbisë.

“Në vend që të ekstradohen terroristet, Serbia vazhdon t’i mbështesë ata në planifikim për sulme të reja kundër Kosovës dhe kundër stabilitetit rajonal”.

Sipas saj, në rast se veprohet në këtë mënyrë duke mos u ndëshkuar Serbia, ajo do të vazhdojë me sulme të ngjashme terroriste.

“Nëse Serbia nuk përballet me asnjë masë për këto sulme, do të jetë një inkurajim i ri për të që ta sulmojë Kosovën dhe ta destabilizoj rajonin sërish. Në këtë kontekst roli i NATO-s dhe i KFOR-it, është vendimtar, pasi që Serbia mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin tonë”.

“Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët janë në anën tjetër”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Edhe pse Kosova, është një shtet i lirë dhe demokratik tash e 24 vjet, presidentja potencoi se kohët e fundit është cenuar paqja e saj nga Serbia.

“Por, kjo paqe së fundmi është cenuar seriozisht dhe vazhdon të cenohet seriozisht nga ana e Serbisë. Siç jemi në dijeni më 24 shtator u vra Afrim Bunjaku, tashmë hero i vendit tonë ndërsa disa të tjerë u plagosën. Ky ishte një akt i pastër agresioni nga ana e Serbisë kundër vendit tonë”.

Sipas të gjitha informacioneve të deritanishme, e para e shtetit ka deklaruar se të dhënat e hetimeve zyrtare konfirmojnë që Serbia qëndron prapa sulmit të 24 shtatorit.

“Të dhënat e hetimeve zyrtare konfirmojnë që Serbia, qëndron prapa këtij sulmi si në aspektin e organizimit të tij, ashtu edhe në aspektin e furnizimit me armatim e pajisje e po ashtu duke financuar e duke ofruar trajnime në bazat ushtarake në Serbi”.

“Populli dhe institucionet e Kosovës, janë falënderuese për herë për kontributin e NATO-së për lirin tonë, në të njëjtën kohë jemi falënderues për ushtarët e NATO-s, që po japin kontribut për paqe dhe stabilitet”, shtoi ajo.

Osmani, ka thënë se Policia e Kosovës është multietnike dhe është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me KFOR-in.

“Anëtarësimi në NATO është qëllim i Kosovës. Përfshira në partneritetin për paqe, e pastaj edhe anëtarësimi në NATO është garanci për rajonin. Stërzgjatja e këtij procesi prodhon pasoja”.

Vizita e Stoltenbergut në Kosovë, është një vizitë e rëndësishme në një momentum të ri gjeopolitik, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në Ballkanin Perëndimor është akoma e brishtë dhe sidomos pas përpjekjeve të shtuara të Rusisë që nëpërmjet Serbisë të shtrijë ndikimin në këtë rajon të ngjeshur nga tensionet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore