Lajme

Osmani, Sarrazinit: Për veprimet terroriste në Veri duhet sanksionuar Serbia


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas njoftimit për media të zyrës së presidentes, Osmani me Sarrazinin dhe Rohden ka biseduar për zhvillimet e fundit në Veri pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.

“Presidentja ka theksuar se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë”, thuhet në njoftim.

Ajo ka theksuar se Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në Veri dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe.

“Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”.

Presidentja ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiçit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Në takim u diskutua po ashtu për rezultatet që priten nga Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë gjatë muajit tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore