Osmani: Rusia përmes satelitit të saj Serbisë paraqet rrezik aktiv për de-stabilizim të rajonit

Valon Rashiti
19.05.2024 10:15
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me nënsekretaren e SHBA-së për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, ka thënë se kësaj të fundit ia ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e pa rezervë për Kosovën, derisa është shprehur e lumtur që dy shtetet kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

“Jam e lumtur që në emër të Kosovës nënshkruam një marrëveshje me nënsekretaren në mënyrë që të bashkojmë forcat kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Fushatat dezinformuese paraqesin një kërcenim të madh për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, por edhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi”, tha Osmani në konferencë për media e shoqëruar nga Allen.

“Këto fushata synojnë të sjellin frikë dhe duan ta cenojmë demokracinë dhe vlerat demokratike që qëndrojnë në shtetet tona. As Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon nëpërmjet satelitit të saj Serbisë, kjo paraqet rrezik aktiv për de-stabilizim të rajonit”, shtoi.

Sipas Osmanit, kjo marrëveshje e bashkëpunimit do të nxisë një koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, mediave dhe gjitha palëve të interesuara.

“Rezultatet e kësaj marrëveshje do të materializohen suksesshëm gjatë zbatimit të saj, Kosova gëzon lirinë falë mbështetjes së SHBA-së. SHBA është aleati ynë kryesor dhe partneriteti ynë me SHBA-në është ekzistencial për cilindo sukses të Kosovës”, potencoi Osmani.

Të fundit

Aktuale