Lajme

Osmani për rrahjen në Kuvend: Dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj përleshjeve në Kuvendin e Kosovës që ndodhen të enjten mes deputetëve të pozitës e opozitës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, e para e shtetit është shprehur se ky është vetëm dëmtim ndaj institucioneve që janë ndërtuar me sakrificë ndër vite.

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, ka shkruar Osmani.

Ajo tutje ka sqaruar rolin legjislativ të Kuvendit në Kosovë.

“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”.

Edhe pse përleshjet në Kuvend ishin të përmasave mjaft të mëdha, Osmani ka potencuar se vazhdojnë të jenë të përkushtuar ndaj demokracisë e sundimit të ligjit.

“Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”.

Pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Më pas deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.

Ky ishte edhe fillimi i përplasjes në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Krejt kjo ndodhi derisa Kurti po mbante fjalimin e tij duke treguar se qeveria ka pasur suksese në Veri.

“I kemi fituar zgjedhjet me 438 mijë vota me datën 14 shkurt 2021. Pesë ditë ish-Qeveria para se të bëhemi ne Qeveri është hekur fletëarresti ndaj këtij kriminelit Radojiçiç. Në Qeveritë e mëhershme ky kriminel ka qenë në Mitrovicë dhe në Prishtinë tash kontributi ynë është që është në hotelin Kopaunik në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”.

Përleshje fizike në Kuvend, Kurtit i hidhet ujë, Bislimi gjuan me shishe, goditet ministri Murati, truprojat përplasen me opozitën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore