Kosova

Osmani: Pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën që ndodhi brenda burgut të Dubravës 25 vjet më parë ku u vranë 120 të burgosur.

“25-vjet më parë, prej 19-24 maj 1999, pushteti gjenocidal i Serbisë i vrau brenda burgut të Dubravës 120 të burgosur shqiptarë të luftës dhe të burgosur politik dhe i plagosi 300 të tjerë”, tha Osmani, ka njoftuar zyra e saj për media.

Sipas Osmanit, kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg.

“Bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to”, theksoi ajo.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deklaroi se ky akt i përgjakshëm shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit të Serbisë që ndodhi në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”, shkroi Haradinaj në një postim në “Facebook” të mërkurën derisa përkujtoi masakrën që cilësohet si një nga më mizoret.

“Po ashtu, në ato ditë maji të 1999, forcat ushtarake serbe, mbi popullatën shqiptare në Vushtrri ushtruan terror të paparë, duke ekzekutuar burra, gra, pleq e fëmijë, pa dallim. Trupat e 67 nga 68 të vrarëve në rrugën ’22 Maji’ në Vushtrri, u gjetën në varrezat masive në Serbi mes viteve 2003-2012”.

Ish-kryeministri i Kosovës po ashtu theksoi se edhe pas 25 vjetësh, fatkeqësisht ende askush nga urdhëruesit dhe ekzekutuesit e këtyre krimeve me motive gjenocidi nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare. E në burgun famkeq të Dubravës ka qenë i burgosur edhe veprimtari i shquar kosovar, Ukshin Hoti, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë që nga viti 1999.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e mijëra viktimave.

Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë vlerësohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore