Kosova

Osmani pret në takim lamtumirës shefin e misionit të EULEX-it, e dekoron me medalje presidenciale


Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani dhe Lars-Gunnar Wigemark

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur këtë të premte në takim lamtumirës shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, të cilin e ka dekoruar me medalje presidenciale për sundim të ligjit.

Siç njofton zyra e presidentes “në takimin me Ambasadorin Wigemark, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave”.

“Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjatë takimit e para e vendit ka dekoruar shefin e EULEX-it me medalje presidenciale për sundimin e ligjit, dhe ka theksuar rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

“Presidentja Osmani falënderoi EULEX-in për bashkëpunimin e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit ekzistues për këshillim, mentorim dhe monitorim”.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se dekorimi me medaljen presidenciale për sundim të ligjit paraqet “vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës ndaj Ambasadorit Wigemark dhe EULEX-it për përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të sigurt në Kosovë”.

Ndryshe, ndonëse për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke u bërë çdo ditë e më i panevojshëm,  shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha të enjten se një ditë do të largohen nga Kosova, porse momentalisht nuk janë krijuar kushtet e duhura për një gjë të tillë.

Diplomati suedez, në një intervistë për agjencinë amerikane të lajmeve “Associated Press”, përveçse vlerësoi që EULEX – megjithatë – është ende i nevojshëm në Kosovë ngase aktualisht “nuk janë pjekur kushtet” për t’u larguar, tha se nuk përjashtohet mundësia e dërgimit “të mijëra trupave tjerë” në Kosovë.

Kështu pohoi ai, teksa komentoi tensionet në pjesën veriore të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit, të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Tashmë vetëm se kishte dhunë të llojit më keq. Të gjithë… thonë se jemi me fat që nuk patëm viktima”, ka thënë Wigermark, kurse ka treguar se sa i përket EULEX-it do të vinte koha ku ata të mos ishin më të nevojshëm në Kosovë, porse “kushtet nuk janë pjekur ende për këtë”.

“EULEX-i i panevojshëm”, Wigemark: S’janë pjekur kushtet, opsion edhe dërgimi i trupave shtesë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore