Lajme

Osmani pret mbështetje nga Katari për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës


Vjosa Osmani dhe Jabor Ali Hussein Hawsheka Al Dosari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi të enjten letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Katarit në vend, Jabor Ali Hussein Hawsheka Al Dosari, ku edhe shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes nga Katari në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në fuqizimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Osmani, në bazë të një komunikate të lëshuar për shtyp nga Presidenca e Kosovës të enjten pasdite, shprehu gjithashtu vlerësimin për përkushtimin e vazhdueshëm të Katarit për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën si dhe kontributin e dhënë gjatë viteve. Në këtë kontekst, ajo shfaqi nesimin se marrëdhëniet e mira biletarale do të intensifikohen edhe më tej.

“Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes nga Katari si në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare ashtu edhe në fuqizimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja Osmani dhe ambasadori Al Dosari, diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetmë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), i cili organizohet nga Presidenca e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të dyanshëm.

Osmani paralajmëron heqjen e vizave nga Katari

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore