Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Australisë, Richard Rodgers
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i ri i Australisë, Richard Rodgers.
Altina Marmullaku
06.06.2023 15:46Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredicinale nga ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej “marrëdhëniet bilaterale në mes dy vendeve”.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.
“Në raport me zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon dhe Evropë”.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të shteteve demokratike dhe paqedashëse për t’i kundërshtuar përpjekjet e vazhdueshme të forcave keqdashëse jodemokratike”, thuhet në komunikatë.
Teksa, ka theksuar se Australia ka qenë dhe mbetet një shtet mik dhe aleat strategjik i Kosovës.
“Me ambasadorin Rodgers u dakorduan për koordinim të ngushtë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit, përfshirë edhe projektet e përbashkëta për fuqizimin e grave dhe vajzave, dhe projekte tjera të interesit të dyanshëm”, ka deklaruar Osmani.
Më 29 shtator të 2022, Osmani kishte pranuar letrat kredenciale edhe nga ambasadori i ri i Francës, Olivier Guerot.
Osmani kishte vlerësuar lartë raportet biletarele ndërmjet Kosovës dhe Francës, duke shpresuar që këto raporte do të thellohen nën mandatin e diplomatit francez.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë intensifikimin e raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës, për të cilat ka shfaqur besim që do të vazhdojnë të thellohen edhe gjatë mandatit të ambasadorit Guerot”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, e para e shtetit e kishte falënderuar atë edhe për përkrahjen e Francës për procesin e liberalizimit të vizave dhe ka potencuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.