Lajme

Osmani: Pesë policë të Kosovës po vazhdojnë të mbahen peng nga Serbia


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj teksa ka uruar 445 kadetë të rijnë të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës, të cilët po diplomojnë të enjten ka thënë se pesë policë janë duke vazhduar të mbahen peng nga Serbia që nga e mërkura.

Ajo gjatë adresimit të saj i bëri thirrje faktorit ndërkombëtarë që të reagojë për këtë çështje.

“I bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur që betimi i sotëm, dhe të gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla”.

“Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia”, deklaroi Osmani.

Ndërsa, kujtoi rreshterin e vrarë nga sulmi në Banjë të Zveçanit më 24 shtator tashmë heroin Afrim Bunjaku, duke thënë se është njëri ndër shembujt më të mirë në këtë profesion e mision të rëndësishëm.

“Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetarë të Republikës sonë pa dallim. Prandaj, në këtë punë dhe në këtë mision të rëndësishëm le të jenë heronjtë e Kosovës, përfshirë heroin Afrim Bunjakun – udhërrëfyes i juaji i përhershëm se si mbrohet shteti e si i dilet zot atdheut”, ka thënë Osmani.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi lartë kontributin e Policisë së Kosovës, tash e 25 vite.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Duke ua kujtuar kadetëve të rijnë rolin e rëndësishëm që kanë në mbrojtjen e shtetit.

“Vendit tonë do t’i shtohen edhe 445 policë të rinj të cilët do të shërbejnë gjithandej nëpër Kosovë, duke i dhënë një bazë përforcuese kolegeve tjerë policë. Nga 445 policët që diplomojnë sot, 345 janë djem, 100 vajza, 357 shqiptar dhe 88 nga komunitetet jo shumicë”.

“Kosova rri mbi shtyllat e progresit të vazhdueshëm social, ekonomik e kulturor në njërën anë dhe një vendi të sigurte dhe euro atlantike në anën tjetër. Respektoni dhe nderoni uniformen dhe punën tuaj”, ka thënë Kurti.

Gjithashtu, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë fjalimit të tij ka uruar gjeneratën e 59-të të kadetëve të rijnë policorë duke ua rikujtuar detyrën e tyre për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në çdo cep të Kosovës.

“Nga sot ju do të jeni pjesë e një organizate të madhe e ngritur mbi parime të shërbimeve të barabartë për të gjithë qytetarët tonë dhe garantimin e rendit dhe sigurisë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Këto janë parimet dhe vlerat e qarta të Policisë së Kosovës, të cilat duhet t’i bartni në çdo ditë të punës suaj”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Policia jonë pjesë e secilës nga sot do të jeni edhe ju gëzon mirënjohje dhe vlerësim nga shoqëria jonë të arritura këto falë punës së pandalshme të gjeneratave të tëra në forcimin dhe ngritjen e saj”.

14 korrik të 2023-së, kishin diplomuar po ashtu edhe 419 policë të rijnë.

Si në këtë ceremoni edhe në të kaluarën kishin marrë pjesë personalitetet më të larta shtetërore, përfshirë përfaqësues nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore