Lajme

Osmani për ushtarët e rinj të FSK-së: Krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe pjestarët e FSK-së. Foto nga arkivi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e certifikimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka deklaruar se ndjehet krenare që ata janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jam krenare që sot ju mbani uniformën e forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jam krenare për hapin e parë që hodhët në pragun e komandatës së doktrinës së stërvitjes, duke prekur ëndrrën për tu bërë ushtar e ushtare të FSK-së”, ka thënë Osmani.

Komandantja supreme në fjalimin e saj, ka potencuar se mburret edhe për arritjet e FSK-së.

“Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur që sot në këtë ceremoni të veçantë ndajmë së bashku emocionet e festës dhe kurorëzimit të madh të 325 djemve e vajzave tona të gjeneratës të vitit 2023 të Forcës së Sigurisë së Kosovë”.

Sipas saj, besnikëria e nderi janë mishëruar në shërbimin e tyre ndaj vendit.

“Besnikëria, nderi, integriteti dhe guximi tashmë janë mishëruar në shërbimin tuaj ndaj vendit. Përmes programit ushtarak”.

Ndërsa, ka bërë thirrje ndaj atyre që të bëhen shembull të ushtarakëve profesionistë, me moral, integritet, dinjitet dhe ndershmëri të lartë.

“Sepse aty do të keni çelësin e mirëbesimit të ndërsjellë që si ekipë të arrini t’i maksimizoni energjinë tuaj për realizimin e detyrave tuaja”.

Më 28 dhjetor, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe gjenerali Bashkim Jashari i kanë dekoruar me mirënjohje dhe medalje pjesëtarët të cilët janë dalluar nga stafi ushtarak dhe civil të MM-FSK-së.

FSK-ja përbëhet nga 10 mijë ushtarë aktivë dhe nga 5 mijë rezervistë.

Maqedonci dhe Jashari dekorojnë me medalje dhe mirënjohje pjesëtarët e dalluar të FSK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore