Lajme

Osmani për draft-statutin: Disa çështje krijojnë dykuptimësi, mund të shkaktojnë probleme në praktikë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – i pranuar tashmë nga Kosova – ka çështje që krijojnë dykuptimësi, teksa ka shtuar se shpreson se të njëjtat të eliminohen para se drafti të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, madje ka bërë me dije se u ka dërguar komentet e saj për këtë çështje të gjithë faktorëve që kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij drafti.

“Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë si presidente e vendit do t’i dorëzoj komentet. Unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur, i kanë të gjithë akterët relevantë të cilët kanë qenë të involuar në përgatitjen e këtij drafti, përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Osmani para mediave pas ndarjes së çmimit për “Guxim-Vasfije” për doktorin Shukri Gërxhaliun.

“Ka çështje të cilat patjetër duhet të sqarohen, sepse krijojnë dykuptimësi, e rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë. Me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese”, shtoi.

Mirëpo, ka theksuar e para vendit, në qoftë se jo, “unë jam e bindur që Gjykata do i sqarojë ato duke u bazuar edhe në interpretimet e vet gjykatës që i ka dhënë në vitin 2015, shumë prej të cilave janë si parime udhërrëfyese tani për çfarëdo Asociacioni”.

Osmani nuk dha detaje sa i përket komenteve që ajo i ka dhënë rreth draft-statutit, derisa mos ndarjen e këtij drafti me liderët e opozitës e ka konsideruar si të padrejtë.

“Meqenëse është kërkesë e vet emisarëve ndërkombëtarë që mos t’i bëjmë publike komentet, pa e bërë ata vet publik draftin që e kanë prezantuar, do ta respektoj këtë kërkesë. Edhe pse mendoj që nga fillimi ka qenë e padrejtë dhe tërësisht e pa arsyeshme që ky draft mos të ndahet edhe me liderët e opozitës”.

Ata, theksoi presidentja, përfaqësojnë si parti politike qytetarë të Republikës së Kosovës, “kështu që si presidente kam insistuar nga dita e parë që ky draft të ndahet edhe me ta dhe shpresoj shumë që së shpejti ata që janë autorë të këtij dokumenti do ta japin edhe miratimin për një gjë të tillë”.

Sipas Osmanit, në draftin aktual për Asociacionin, shumë prej parimeve të vitit 2015 nuk janë të pranishme, ndërsa ka kërkuar që çështjet që kuptojnë dykuptimësi të adresohen.

“Në vitin 2015 ka pasur një dokument parimesh, i cili është dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Shumë prej atyre parimeve të vitit 2015 janë shpallur kundër kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Dhe parime të tilla, shumë prej tyre nuk janë tani në draftin aktual”.

“Janë dy-tri gjëra të cilat krijojnë dykuptimësi dhe natyrisht që ato duhet të adresohen, qoftë para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese, qoftë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Por patjetër duhet të sqarohen përfundimisht në mënyrë që të mos lejohen ashtu si janë të hyjnë në fuqi, sepse mund të krijojnë probleme në praktikë”, potencoi.

Cilët janë nenet kryesore të Asociacionit?

Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.

Tek neni 12, tek pjesa e bashkëpunimit, thuhet se Asociacioni  do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, “duke përfshirë agjencitë qeveritare në Serbi”.

Një bashkëpunim i tillë, theksohet aty, mund të marrë formën e ofrimit nga institucionet serbe të asistencës financiare dhe teknike, duke përfshirë pajisjet, në zbatimin e kompetencave komunale.

Ndërsa, parashihet që donacionet e mallrave dhe pajisjeve nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë ose detyrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në pajtim me ligjin në fuqi”, thuhet aty.

Një nen tjetër që parasheh ky draft-statut i Asociacionit është ai i 14, ku bëhet fjalë për menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të cilat, sipas këtij drafti, themelohen dhe financohen nga Serbia.

Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë financuar nga Serbia, sipas hapave të mëposhtëm:

“Në frymën e nenit 13 të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ‘Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës’ dhe ‘Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës’ do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi”, thuhet në njërën nga pikat.

Sipas këtij drafti, në Kosovë, këta bartës do të kërkojnë të kenë statusin e arsimit privat të huaj dhe ofruesve të huaj privat të kujdesit shëndetësor. Asociacioni do të kërkojë t’i regjistrojë këta ofrues dhe të marrë licenca operimi në përputhje me ligjin në fuqi.

“Çështjet që kanë të bëjnë me planprogramin arsimor do të rregullohen në pajtim me ligjin në fuqi. Me licencimin, Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofruesve të arsimit dhe shëndetësisë”.

Pos këtyre, aty theksohet se Asociacioni do të angazhohet me Qeverinë e Kosovës me qëllim që këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut.

Në territorin e anëtarëve të Asociacionit, parasheh ky draft, këta ofrues mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkëfinancuara nga Serbia për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

Kurse te neni 42 bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore.

Tek pika e parë e këtij neni, thuhet se çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore në lidhje me zbatimin ose interpretimin e këtij Statuti, i cili nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, me kërkesë të secilës palë në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje një komisioni arbitrariteti.

Ky komision, pohohet aty, do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje.

Mirëpo, nëse brenda tre muajve, secila palë në mosmarrëveshje nuk arrin të emërojë arbitrin përkatës ose palët në mosmarrëveshje nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit, ky arbitër ose kryetar, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, “do të jetë emëruar nga Bashkimi Evropian”.

Madje, në draft theksohet se komisioni i do të krijojë rregullat e veta të punës dhe do të përpiqet të vendosë mosmarrëveshjet e tij brenda gjashtë muajve.

Sipas draftit të publikuar të shtunën, komisioni vendos për mosmarrëveshjen me dy të tretat e shumicës së arbitrave dhe se ky vendim do të pranohet nga palët në mosmarrëveshje si përfundimtar dhe i detyrueshëm, duke anashkaluar kështu Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndërsa në nenin 43 parashihet që duke vepruar në emër të Asociacionit katër kryetarët e komunave të Kosovës Veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për emërim si Komandant Rajonal i Policisë së Kosovës, siç specifikohet në nenin 9 të Marrëveshjes së Parë, çka nënkupton se komandanti i policisë në këtë rajon duhet të jetë serb, pra përzgjidhet etnikisht.

Ky Draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, u publikua nga Ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, për të cilin ai tha se është ai zyrtari që Kosova e ka pranuar.

Emri zyrtar i këtij mekanizmi do të jetë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa selia e tij do të jetë në Mitrovicën e Veriut.

Asociacioni, gjithmonë sipas këtij drafti, do të krijojë simbolet e veta zyrtare: flamurin dhe një stemë, ndërsa thuhet se vetëm simbolet zyrtare të Asociacionit, së bashku me simbolet shtetërore të Kosovës do të përdoren nga Asociacioni, në përputhje me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore