Kosova

Osmani: Partneriteti me USAID-in është dëshmi e lidhjes së palëkundur mes Kosovës dhe SHBA-ve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ceremonisë së garantëve për bizneset në pronësi të grave dhe të minoriteteve ka thënë se partneriteti i Kosovës me USAID-in, e bën edhe më të “palëkundur” raportin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo gjatë fjalimit të saj, ka theksuar se mbështetja e kësaj organizate vazhdon të mbetet esenciale për bizneset në Kosovë.

“Partneriteti ynë me USAID-in, është më shumë sesa bashkëpunim, është një udhëtim i përbashkët drejt ndërtimit të një Kosovë më të fortë, më gjithëpërfshirëse”.

“Është një dëshmi e lidhjes së palëkundur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), dhe njëkohësisht është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për ta forcuar edhe më tej këtë partneritet”, deklaroi Osmani.

Ndërsa, ndarjen e këtyre fondeve e ka quajtur si shenjë besimi ndaj bizneseve të Kosovës.

“Ndarja e këtyre fondeve është një shenjë besimi në aftësitë e jashtëzakonshme të sipërmarrësve tonë. Këto fonde do të shërbejnë si katalizator për rritje, inovacion dhe qëndrueshmëri të mëtutjeshme në secilin nga këta sektor të ekonomisë sonë”.

Sipas Osmanit, bizneset e Kosovës janë liderë në rajon.

“Vizioni ynë është i tillë ku çdo sipërmarrës pavarësisht dallimeve ka mundësi të kontribuojë drejt prosperitetit të shtuar të vendit tonë. Ne po punojmë drejt një të ardhme ku këto biznese jo vetëm mbijetojnë, por edhe janë liderë në fushat e tyre”.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara më 31 tetor, nga rreth 376 mijë të punësuar në Kosovë, mbi 142 mijë janë gra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore