Kosova

Osmani njofton ish-sekretarin amerikan për situatën e sigurisë në Kosovë


John Kerry dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ish-sekretarin Amerikan të Shtetit në kohën e presidencës së Barack Obama, John Kerry, në margjinat e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.

Në një postim në platformën sociale, X, Osmani ka bërë të ditur se ka informuar Kerry-in, tashmë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështje klimatike, për zhvillimet më të fundit të sigurisë në Kosovë.

“Theksova gjithashtu rëndësinë e lidershipit të SHBA-ve për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm”, ka shkruar Osmani, pas takimit.

Ndër të tjera Osmani, ka njoftuar, se personalisht ka lavdëruar udhëheqjen e Kerry-it në çështjet klimatike.

“Shpreha gatishmërinë tonë për të punuar së bashku për të trajtuar sfidat e përbashkëta”, ka shtuar Osmani.

Më 24 shtator Kosova u ballafaqua me një agresion i realizuar nga një grup terroristësh mu në krye me Milan Radojçiç-in, ish-nënkryetarin e Listës Serbe.

Grupi terrorist ishte i pajisur me armatime të sofistikuara ushtarake ndërsa kishin kaluar kufirin në mënyrë ilegale me qëllim aneksimin e Veriut, sipas autoriteteve kosovare.

Pas zmbrapsjes së sulmit nga ana e Policisë së Kosovës në dhe rrethinën e Manastirit të Banjës, ku ndodhi sulmi terrorist e mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës, u gjet një numër i konsiderueshëm i armatimit ushtarak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore