Lajme

“Osmani në vend të Kurtit po fajëson Kosovën për prishjen e raporteve me SHBA-të”


Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vend se të fajësojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për përkeqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo po e fajëson Kosovën për të njëjtën gjë.

Kështu e vlerëson të gjithë plasaritjen e raporteve ndërmjet Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit, ish-kryenegociatorja e palës kosovare në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

“Presidentja po e lehtëson Kurtin nga fajet, po ia ngarkon Kosovës”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.

Edita Tahiri

Çfarë tha Osmani?

Duke komentuar raportet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, Vjosa Osmani theksoi se Kosova nuk mundet të ecë përpara vetë, pa koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj mu në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pra, sipas saj, në pyetjen Kushtetuta apo aleatët, Kosova duhet të zgjedhë që të dyja.

“Pra edhe Kushtetua edhe aleatët, këto të dyja nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, duhet të jemi bashkë në çdo hap që ecim përpara”, potencoi ajo.

Kur SHBA-të theksojnë se i duhen aleatët dhe partnerët për prosperitet atëherë sipas Osmanit, Kosovës një bashkëpunim i ngushtë me miqtë e saj i duhen shumë më shumë.

“Kosova nuk mundet të ecë përpara, në fakt asnjë shtet nuk mundet të ecë përpara vetë, edhe SHBA-të në çdo fjalim të presidentit Biden, ju do ta vëreni narrativen ‘ne duam të punojmë së bashku me partnerët dhe aleatët tanë’, kur kjo është e vërtetë për superfuqinë botërore është miliona herë më shumë e vërtetë për një shtet si Republika e Kosovës”, tha Osmani.

Prandaj, sipas presidentes, në rast se Kosova dëshiron suksesin në rrugën përpara, kjo duhet të bëhet me aleatët.

“Nuk mundet Kosova të arrijnë asnjë sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e aleatëve”.

Çfarë tha Escobar?

I Dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se Kosova nuk është duke i trajtuar SHBA-të “si partner”.

Top-diplomati amerikan ka hezituar të flasë për pasojat, por që deklarimit publike të tij dhe të zyrtarëve amerikanë tregojnë mjaft shumë për drejtimin e marrëdhënieve diplomatike dhe politike mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Nuk dua të hyjë në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, nuk punon me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara”.

Tutje ai ka cituar deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke u përpjekur që ta elaboroj atë që Hovenier e tha përmes mesazheve të tij.

Sipas Escobar-it, është vetë Kosova ajo që po vështirëson rrugën e saj me partnerët e tjerë – duke përfshirë edhe ata që se njohin.

“Mendoj se ambasadori Jeffrey Hovenier, e ka thënë më së miri kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Sa herë që flasim për Kosovën me partnerët tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, ata shohin se Kosova nuk i përmbush obligimet e saj në dialog nën ombrellën e BE-së, e cila përfaqëson të gjithë BE-në”.

“Prandaj, na e vështirëson mbrojtjen e argumenteve për Kosovën në çfarëdo mënyre, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera”, deklaroi Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore