Lajme

Osmani në pritje të Kushtetueses për dekretimin e Kryeprokurorit


Zyra e presidencës së Kosovës është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese se ka marrë kërkesë për kontestimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila ka të bëjë me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Në këtë kërkesë kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili ndërlidhet me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë për Albanian Post zëdhënësi i presidencës, Bekim Kupina.

Ndërsa, Blerim Isufaj ishte nominuar nga Këshilli Prokurorial për kryeprokuror të shtetit në prill të vitit të kaluar, mirëpo ai nuk ishte dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vjosa Osmani

Për këtë, Kupina thotë se presidentja Osmani “ka sqaruar në vazhdimësi se të gjitha veprimet lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit, do t’i ndërmarrë në përputhje me mandatin e saj kushtetues, duke respektuar pavarësinë e procedurave gjyqësore, sikurse edhe të drejtën e kandidatëve për të shteruar procedurat kushtetuese dhe ligjore për realizmin e të drejtave të tyre”.

“Sapo të përfundojë trajtimi i çështjes së Kryeprokurorit në gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidentja Osmani do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese”.

Blerim Isufaj

Ndryshe, njëri ndër kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu, me 28 prilli të vitit të kaluar kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Fazliu pretendon se Këshilli Prokurorial i Kosovës, gjatë procesit të zgjedhjes së kryeprokurorit, ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuar me Kushtetutë, përkatësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ishin: Armend Hamiti, Blerim Isufaj, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Por, KPK-ja kishte votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore