Kosova

Osmani në Itali pritet me këngë dedikuar rrënjëve shqiptare


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë arritjes së saj në Itali.

Arbëreshët e Italisë, kanë pritur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani me këngë shqipe dedikuar rrënjëve shqiptare, të martën e 11 prill.

Presidentja ka ndarë video nga ky moment në rrjetin social ‘Facebook’ ku shihet duke thënë “mirë se ju gjeta, arbëreshë të dashur”.

Në video incizimin e publikuar shihen disa zonja duke kënduar një këngë arbëreshe, ndërkohë njëra nga to ia mban dorën presidentes Osmani, e cila në duar kishte dhe një buqetë me lule.

Kurse, gjatë qëndrimit në Kalabri, Osmani pritet të takohet edhe me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit.

Gjithashtu, do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.

Përmes këtyre takimeve presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor.

Mbledhja e traditës gojore arbëreshe dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së presidentes Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore