Lajme

Osmani: Në guximin e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës, gjejmë frymëzimin e në sakrificën e tyre heroizmin


Foto nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 42 vjetorin e vrasjes së Jusuf Gërvallës dhe Bardhosh Gërvalles, ka përkujtuar ata së bashku me Kadri Zekën duke thënë se “ndoqën rrugën e të vërtetës dhe lirisë”.

Ajo të mërkurën ka bërë homazhe tek varrezat e tyre.

“Në guximin e tyre, gjejmë frymëzimin, e në sakrificën e tyre heroizmin! Në 42 vjetorin e vrasjes, sot nderojmë tri personalitete të guximshme, të cilët ishin cak i një atentati politik dhe u përjetësuan në heronj”.

“Jusuf e Bardhosh Gërvalla bashkë me Kadri Zekën, ndoqën rrugën e të vërtetës, nderit dhe lirisë!”, ka shkruar Osmani.

E para e shtetit, ka thënë se ata do të nderohen për gjatë gjithë brezave të ardhshme.

“Të tre kolosët punuan me nder, ndaj sot e përherë do të jenë të nderuar nga ne dhe brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Jusufin, Bardhoshin e Kadriun!”.

Përveç Osmanit, përvjetorin e vrasjes së tyre e ka kujtuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla si dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Më 24 shkurt të 2002, në Kosovë, u rivarrosën me nderime Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, eshtrat e të cilëve u sollën nga Gjermania, ku ishin vrarë 20 vite më parë.

Krerët e institucioneve kujtojnë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën në përvjetorin e vrasjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore