Osmani mirëpret zgjedhjen e Ruttes në krye të NATO-s

SHFLETO

Vjosa Osmani dhe Mark Rutte

 

Armat Matoshi
26.06.2024 11:31
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi kryeministrin aktual të Holandës, Mark Rutte, i cili nga tetori i këtij viti do të marrë drejtimin e NATO-s. Osmani, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, vlerësoi lidershipin e Ruttes, derisa theksoi se Kosova është e përkushtuar të anëtarësohet në aleancën ushtarake për paqe të qëndrueshme.

“Përgjatë viteve, ne kemi punuar së bashku për shumë çështje të rëndësishme dhe nuk kam dyshim se bashkëpunimi ynë i fortë do të vazhdojë derisa ai të marrë këtë përgjegjësi të re. Mezi pres të punojmë së bashku për të avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe të punojmë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në të gjithë kontinentin tonë”.

Emërimi i Ruttes në krye të NATO-s vjen në një moment kritik për sigurinë kontinentale ndërsa Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës. Ai do ta pasojë Jens Stoltenbergun, i cili e mbajti pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që nga viti 2014. Stoltenberg deklaroi gjatë ditës se NATO do të jetë në “duar të sigurta” nën lidershipin transatlantik të Ruttes.

Osmani e takoi për herë të fundit Rutten javën e kaluar, në margjina të një samiti për paqen në Ukrainë, që u mbajt në Zvicër, ndërsa Rutte vizitën e fundin në Kosovë e realizoi vitin e kaluar, në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. Rutte, në përgjithësi, konsiderohet të jetë një ndër mbështetësit më të mëdhenj të synimeve transatlantike të Kosovës.