Lajme

Osmani me presidentin e Singaporit, diskutojnë për thellimin e marrëdhënieve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Singaporit, Tharman Shanmugaratnam.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Singapor është takuar me presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam, me të cilin ka diskutuar për të thelluar bashkëpunimin.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Osmani ka thënë se për qëllim kanë rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

“Falënderoj presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam për pritjen e ngrohtë! Presidentin Shanmugaratnam e urova për marrjen e detyrës dhe njëkohësisht patëm diskutim përmbajtjesor për thellimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona, sidomos në fushën e bashkëpunimit ekonomik”, ka shkruar Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes së saj në Forumin Ekonomik të Bloomberg-ut, një ndër format më të mëdha dhe më të rëndësishme botërore në fushën e ekonomisë.

Në fjalimin e saj, Osmani ka thënë se Kosova ka nisur rrugëtimin e shtetndërtimit të bazuar në vlera.

“Si vendi më i ri në Evropë, kemi nisur rrugëtimin e shtetndërtimit të bazuar në vlera dhe jemi angazhuar për të siguruar vendin tonë të merituar në komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë presidentja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Singapor, ku gjatë ditës së martë ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e Earthshot Prize, një nismë globale e krijuar nga Princi William për t’i trajtuar disa nga sfidat mjedisore me të cilat përballet planeti.

Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani bashkë më bizneset kosovare prezente në këtë forum, do të jenë pjesë e një tryeze të rrumbullakët për tregtinë, investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Singaporit, derisa do të flasë edhe për potencialin ekonomik të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore