Osmani me Macronin e Scholzin: Bashkëpunimi me partnerët është kyç

SHFLETO

Vjosa Osmani, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz

 

Armat Matoshi
01.06.2023 17:37
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, teksa shpërndau disa fotografi me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, tha se bashkëpunimi me partnerët është kyç në  “këtë kohë përcaktuese për sigurinë në Evropë”.

Osmani të enjten, në margjinat e samitit të Komunitet Politik Evropian, takoi kancelarin gjerman dhe presidentin francez, por edhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, me të cilët, sipas njoftimit, bisedoi për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë.

“Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet”, shkroi Osmani.

Presidentja Osmani ishte e shoqëruar nga shefi i kabinetit, Blerim Vela dhe Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pretendoi se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb për të biseduar.

Presidenti Macron, gjatë një fjalimi në konferencën Globale të Sigurisë të mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë, ka njoftuar se së bashku me Kancelarin Scholz, do të bisedojë me Presidenten Osmani dhe homologun e saj serb, lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Takimet po zhvillohen në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau. Megjithatë, duke qenë se procesin e dialogut Kosovë-Serbi e udhëheqë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e jo Presidentja, del që kreu i ekzekutivit është ‘anashkaluar’ kësaj here.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.