Lajme

Osmani: Liria e media shtyllë për demokracinë


Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën botërore të lirisë së shtypit, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se liria e medias është bazë për demokracinë e një vendi.

“Liria e medias nuk është vetëm një shenjë e një shoqërie të shëndetshme, ajo është një shtyllë e një demokracie të lulëzuar”, shkroi ajo në Twitter.

Ndërkaq, e para e vendit shtoi se “në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne festojmë sukseset e vazhdueshme në indekset ndërkombëtare”.

“Gjithashtu, rinovojmë angazhimin tonë për të mbrojtur rolin e paçmuar të medias së lirë dhe të paanshme”, përfundoi Osmani.

Ndryshe, me një rritje të shënuar krahasimisht me një vit më parë, por sërish me probleme të theksuara sa i takon lirisë së medias.

Janë këta treguesit kryesorë të raportit më të fundit nga organizata “Gazetarët pa Kufij”, e cila thekson se si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, klima e medias ka shfaqur përmirësim, por mbetet në nivele problematike.

Në raport, i cili përfshin 180 vende në të gjithë botën, Shqipëria për vitin 2023 radhitat e 96-a, duke shënuar rritje prej shtatë vendesh krahasuar me vitin 2022.

Gjithsesi, në vitin 2021, vendi radhitej i 81-i, duke lënë të kuptohet se ende ka nevojë për përmirësime të ndjeshme në fushën e medias.

Një prej aspekteve që gjithë raporti thekson, është ai i rastit të sulmeve kibernetike nga Irani kundrejt Shqipërisë, ku sipas RSF, Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e ngjarjes.

Nga ana tjetër, Kosova radhitet e 56-a sa i takon lirisë së medias, duke u ngritur me pesë vende në krahasim me vitin e kaluar. Teksa, nëse krahaismi bëhet me vitin 2021, Kosova ka qenë e 78-a.

Pra, rritja e saj ka qenë me rëndësi, por sërish ka nevojë për përmirësim.

Vendi i renditur më keq ndërkaq në raport, sa i takon rajonit, është Serbia, ku mediat pro-qeveritare shihen si përhapëse të propagandës ruse.

Serbia radhitet e 91-a, duke pësuar një rënie me 12 vende krahasimisht me një vit më parë, e cila është edhe rënia më e theksuar ndër vendet e rajonit.

Të renditurat më mirë ndërkohë, duke pasur edhe një vlerësim të gjendjes “pak a shumë të mirë” ose të kënaqshme të lirisë së medias, janë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat njëpasnjëshëm radhiten e 38-a dhe e 39-a në listë.

Atë e mbyll Bosnjë dhe Hercegovina, duke qenë e 64-a ndër vendet e rajonit.

Shqipëria dhe Kosova kanë probleme me lirinë e medias, tregon raporti i Gazetarëve pa Kufij

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore