Kosova

Osmani: Kur s’ka koordinim me SHBA-të, suksesi është momental  


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një paneli në forumin global të sigurisë, “GLOBSEC 2024” në Pragë të Çekisë, të shtunën, ka potencuar se kur nuk ka koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “suksesi është momental”.

Meqë në vlerësimin e saj koordinimi me Uashingtonin zyrtar do të thotë sukses më i qëndrueshëm.

“Kur ka koordinim me ShBA-në, suksesi është më i qëndrueshëm, më afatgjatë e kur nuk ka koordinim suksesi është momental, mund të duket mirë, mund të tingëllojë mirë, por që pastaj është më i brishtë si sukses pasi mund të bësh hapa prapa”, tha ajo.

Ndër të tjera Osmanin në këtë forum tha se Kosova me SHBA-të ka mospajtime për qasjen, por kurrë për qëllimin final.

E para vendit theksoi se nuk ka asnjë mospajtim mbi faktin që edhe Kosova edhe SHBA-të duan një Kosovë që është sovrane, e pavarur, në kufijtë aktual të suksesshëm, prosperuese, shumetnikë, të ndërtuara mbi Kushtetutën e saj.

“Tani mund të dëgjojmë deklarata mos pajtimi midis zyrtarëve në ShBA dhe Qeverinë e Kosovës për disa prej qasjeve, por asnjëherë për sa i përket qëllimit përfundimtar apo vlerave fundamentale që ne i kemi të përbashkëta”, tha ajo.

Aksioni i Policisë së Kosovës të premten në Veri të vendit, ku u mbyllen pesë (5) objekte të komunave paralele serbe, bëri që Kosova përsëri të jetë në qendër të kritikave të ashpra nga partneri i saj strategjik më i fuqishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Përmes zërit të tyre në Kosovë, ambasadës, SHBA-të kundërshtuan fuqishëm aksionin në Veri, madje theksuan se policia, të cilën thanë se e kanë ndihmuar të profesionalizohet, po instrumetalizohet nga Qeveria, e përmes James O’Brien-it i kërkuan kryeministrit Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”, thuhet në reagim.

Përveç kësaj, ambasada e SHBA-ve në Kosovë pati mesazh edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme – që drejtohet nga Xhelal Sveçla – dhe vartësit e saj, nëse qeveria vazhdon me këso veprimesh.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, ishte paralajmërimi amerikan.

Përveç ShBA-ve, reagime kundërshtuese ka pasur edhe nga vendet e tjera partnere të Kosovës, përmes misioneve diplomatike të tyre në Prishtinë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, është shprehur i shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri të Kosovës, ku u mbyllën pesë komuna paralele, duke thënë se veprime të tilla mund të nxisin tensione.

“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë”, shkroi Hargreaves në Facebook.

“Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar ai.

Në këtë linjë kanë qenë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde si dhe ai francez, Olivier Guerot.

Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e institucioneve të Kosovës në Veri të vendit, të premten.

Sipas Rohdes, Kosova po krijon kriza të panevojshme.

“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë”.

“Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në rrjetin social ‘X’.

Kurse ambasadori francez, Olivier Guerot ka thënë se veprime të tilla s’janë të mirëpritura.

“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast te komniteti serb, nuk është i mirëpritur”.

“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore