Lajme

Osmani kujton masakrën e Studenicës dhe atë të Llashticës: Drejtësia është e domosdoshme


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 25-vjetorin e tyre, ka përkujtuar masakrën e Studenicës dhe atë të Llashticës, të kryera nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

“25 vite më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një nga ofensivat e tyre për shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik masakruan 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura të moshës 12-15 vjeçe, të familjeve Lipaj – Zeqiraj në Studenicë të Istogut”, ka njoftuar zyra e presidencës.

E para vendit ka theksuar se barbaria e regjimit kriminal nuk njohu moshë, “prandaj drejtësia është e domosdoshme dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë në kërkim të saj”.

Të njëjtën ditë, më 13 prill 1999 makineria vrastare e Serbisë në Llashticë të Gjilanit, pushkatoi e më pas dogji 13 shqiptarë, ndër të cilët edhe Fisnik Shabanin, 2 vjeçar.

“Drejtësia për ta është angazhim i pareshtur i yni”, potencoi.

Në fund, presidentja tha “qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”.

Masakrën e Llashticës e ka përkujtuar edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se sikur regjionet tjera të Kosovës, edhe Anamorava ka paguar çmim të madh për lirinë e atdheut.

“Në përvjetorin e 25-të kujtojmë masakrën e Llashticës së Gjilanit dhe nderojmë 26 martirët e rënë nga 13 prilli deri më 30 prill të vitit 1999. Armiku nuk e kishte kursyer as foshnjën tre javëshe, fëmijë nga prehri i nanës, pleq e çkado që i dilte para”, shkroi.

Ish-kryeministri potencoi se kalendari ynë është i mbushur me data e ngjarje që e bënë kthesën e madhe historike.

“Lavdi të rënëve për lirinë e Kosovës në secilën etapë të historisë sonë!”, përfundoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore