Osmani konfronton gazetarin e Der Spiegel: Askush s’duhet ta quajë Thaçin ‘zagar të amerikanëve’

SHFLETO

Vjosa Osmani, presidente e Kosoves

 

albanianpost
06.07.2021 9:34
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është konfrontuar me gazetarin e revistës gjermane, Der Spiegel, kur ai ka përdorur një term ofendues për ta përshkruar raportin e ish-presidentit, Hashim Thaçi, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë intervistës, gazetari Walter Mayr, gjatë pyetjes komenton Thaçin si “zagar në prehër të amerikanëve”, duke sugjeruar, përmes pyetjes, se “a nuk ka ardhur koha për t’u emancipuar Kosova nga fuqia botërore SHBA?”.

Por, Osmani para se të japë përgjigje, ka kundërshtuar Mayr-in duke i thënë se ish-presidentin e Kosovës askush nuk do të duhej ta quante “zagarë të amerikanëve”.

Ka theksuar se përkundër dallimeve politike që ka me të, “Thaçi ka qenë kryeministër dhe kryetar në kohëra historike”.

“Sa i përket marrëdhënieve me SHBA-në: ato nuk varen nga personeli udhëheqës politik. Ato janë një lidhje e veçantë, që na mbajnë bashkë. Ne nuk e harrojmë rolin e amerikanëve në Kosovë në vitet 90-të”.

Der Spiegel është revistë javore gjermane me afër një milion kopje të shitura për javë, që e bën atë javoren më të shitur në Evropë, por historikisht ka pasur shumë kritika për gjuhën dhe qasjen e kësaj reviste.

Kohë më parë, shkrimtari Hans Magnus Enzensberger, kishte publikuar një ese ku kritikonte gjuhën e revistës dhe e kishte quajtur qasjen e saj si “objektivitet i pretenduar”.

Edhe Wolf Schneider, një nga gazetarët me të njohur gjerman, e kishte kritikuar revistën. Ai pos gjuhës kishte kritikuar edhe mënyrën se si i ndërton argumentet Der Spiegel.

Sipas Schneider, kjo revistë fsheh dhe çorienton për tema të ndryshme duke përdorur një retorikë dhe semantikë manipuluese në vend se të raportojë dhe t’i analizojë çështjet.

Der Spiegel kishte prodhuar edhe një nga skandalet më të mëdha në gazetari në vitin 2018, kur u kuptua se gazetari i saj Claas Relotius, kishte falsifikuar artikujt e tij, duke shpikur fakte, njerëz dhe kuota të paqena në së paku 14 artikuj.

Gazeta ka qenë shumë e një anshme dhe ofenduese vazhdimisht edhe në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe figurat kryesore të saj.