Osmani: Kallas ende s’e ka prezantuar planin e ri për dialog

Vjosa Osmani në Samitin e Komunitetit Politik Evropian

Dreni Himbeqa
16.05.2025 11:23
Loading Icons...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim të shkurtër për media, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po organizohet në Tiranë, njoftoi se Kosova ende nuk e ka pranuar planin e ri të Bashkimit Evropian për si të ecet përpara me procesin e dialogut.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, muaj më parë kishte konstatuar se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur, andaj ajo kishte konfirmuar se po shqyrtohen mjete të tjera për normalizim.

“Pas emërimit të Kallas në vend të Borrell dhe pas emërimit të Sorensen në vend të Lajçak është krejtësisht e pritshme që ky ekip i ri të ketë edhe plan të ri të ketë ide të reja si të shtyhet përpara procesi i dialogut”, tha Osmani.

Sipas saj, ky plan është në hartim e sipër.

“Ende nuk i është prezantuar palëve të dialogut. Kur prezantohet Kosova do t’i ketë komentet idetë dhe propozimet e veta”, shtoi ajo.

Ndryshe Kallas, javën e ardhshme do të realizojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

Një gjë të tillë kryediplomatja e BE-së e ka konfirmuar gjatë një prononcimi për media në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet të premten në Tiranë.

Në këtë kontekst Kallas, ka thënë se presin normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi emëruar përfaqësuesit e ri për dialogun Kosovë-Serbi, presim normalizim të marrëdhënieve sigurisht”, është shprehur Kallas, kur është pyetur për procesin e dialogut.

 

Të fundit

Aktuale