Kosova

Osmani: Historia s’mund të rishkruhet, Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën e Studimes duke thënë se “historia nuk mund të rishkruhet”.

E para shtetit tha se institucionet do t’u gjenden pranë të gjitha atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre nga regjimi serb.

“Jemi këtu që të përkujtojmë 116 martirë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e nëna shtatzëna. Jam gjithashtu për t’u thënë se dhimbja që keni përkujtuar atë ditë, është dhimbje e gjithmbarshme”, ka thënë Osmani.

Teksa, ka shtuar se është koha që të vendoset drejtësi për personat e humbur dhe familjarët që vazhdojnë të jenë në pritje.

“Masakra ishte organizuar nga regjimi serb. Sot duhet t’i përkujtojmë dhunën dhe masakrën e përjetuar dhe t’i gjendemi afër të gjithë atyre që humben të afërmit e tyre”.

“Kujtesa historike do të jetë në historinë tonë. Kjo që ka ndodhur këtu është argument se historia nuk mund të rishkruhet. Njerëz tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Sot si asnjëherë duhet ta themi qartë se Serbia ka kryer gjenocid, dhe paqja do të jetë e mundur vetëm kur kryerësit të dalin para drejtësisë”.

Në dy majin e vitit 1999, paramilitarët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë këtu edhe një nënë shtatzënë.

Të martën e 2 majit janë bërë 24 vjet qëkur forcat kriminale serbe vranë shqiptarë të pafajshëm në Studime të Vushtrrisë.

Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serbë 116 persona civilë që ishin në kolonë për t’u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë, shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore