Lajme

Osmani: Epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin e Kosovës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 26 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se vepra e Adem Jasharit dhe gjithë familjes Jashari përcaktoi fatin e Kosovës si shtet.

Ajo është shprehur se e njëjta është kujtesë që edhe në orët më të errëta ne gjejmë forcë si popull për t’u ngritur mbi rrethanat e rënda.

“Kryengritësi Ademi Jashari, ra në altarin e lirisë bashkërisht me anëtarët e familjes së tij duke u shndërruar kështu në gardian të përhershëm të Kosovës, në gardian të përhershëm të lirisë sonë të larë me gjak”.

“Ata e udhëhoqën betejën tonë për liri, prandaj për stoicizmin, përkushtimin dhe heroizmin e dëshmuar ne i detyrohemi komandantit tonë legjendar me familje dhe secilit luftëtar dhe secilit veteranë e invalid të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mirënjohje të përhershme”.

“Adem Jashari e bëri, prandaj edhe u shndërrua në heroin tonë të përjetshëm së bashku me familjen e tij”, ka thënë Osmani.

E para e shtetit, potencoi se Kosova tani ec përpara krahas gjeneratës së re të Jasharëve.

“Heronjtë janë udhërrëfyes të shtetit tonë, prandaj do ta nderojmë kujtimin për ta duke kujtuar dhe ruajtur vlerat për të cilat ata ranë”.

“Liria dhe pavarësia jonë janë gjëja më e shtrenjtë që kemi trashëguar nga ta dhe të shenjta po aq sa heronjtë tonë, gjaku i të cilëve qëndron në themelet e Republikës sonë”.

“Epopeja e UÇK-së, përcaktoi fatin tonë si popull dhe si shtet, ajo ishte epope e dinjitetit, krenarisë dhe e lirisë sonë përmes së cilave me këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme u dëshmua se liria nuk ka çmim, të cilin nuk jemi të gatshëm ta paguajmë”.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviçi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, ndërsa më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.

Kuvendi nis seancën solemne nën tingujt e Ilir Shaqirit dhe Shkurte Fejzës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore